
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, insiston se ekipi aktual është i gjithi “krijim” i tij dhe ndihmësve më të afërt, Doriva dhe Zabaleta, siç e shprehu qartësisht pas ndeshjes së fundit në eliminatore ndaj Anglisë. Dhe në këtë Kombëtare, është përcaktuar edhe hierarkia e qartë e disa lojtarëve, ku bie në sy se tashmë Jasir Asani dhe Mirlind Daku nuk kanë një rol domethënës në planet e trajnerit.
Në dy ndeshjet e fundit, të dy ishin të gatshëm në stol. Por si ndaj Andorrës, ashtu edhe përballë Anglisë, Asani dhe Daku nuk e panë fushën e lojës për asnjë minutë, pasi trajneri bëri zgjedhje të tjera, edhe pse kishte zëvendësime në dispozicion.
Asani e nisi edicionin si titullar, për t’u zëvendësuar në minutën e 78 të ndeshjes së parë ndaj Anglisë në “Uembli”. Që atëherë, trajneri duket se ka humbur besimin te futbollisti duke mos i rezervuar më asnjë minutë në kualifikuese anësorit i cili me golat e tij ishte një emrat kryesorë që çuan Shqipërinë drejt Euro 2024.
Daku, nga ana tjetër, nuk ka qenë kurrë titullar me Shqipërinë në këto eliminatore, ku ka luajtur në 4 ndeshje duke qëndruar vetëm pak minuta në fushë. Në total, 59 minuta të cilat të shpërndara në 4 sfida, e shohin atë shumë larg asaj që mund të cilësohet aktivizim i rregullt apo efikas.
Me pak fjalë, roli i tyre në Shqipërinë e Silvinjos është ndjeshëm i reduktuar dhe fakti që të dy mbetën në stol në sfidat vendimtare të nëntorit, jep një sinjal të qartë se trajneri ka ndryshuar këndvështrimin ndaj tyre gjatë këtyre viti, me pasoja që mund të ndjehen në grumbullimin e marsit.
