
Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, ka ndarë publikisht një nga momentet më të vështira të jetës së saj. Më 6 maj, artistja bëri të ditur se kishte përjetuar një humbje shtatzënie, pas komenteve fyese që mori për peshën e saj pas paraqitjes në Met Gala 2025.
Në një postim në platformën X (ish-Twitter), i cili më pas u fshi, por që u ruajt nga media Page Six, Rexha ndau se po përballej me sindromën e vezores policistike (PCOS), një gjendje shëndetësore që ka vështirësuar shtatzëninë dhe ka shkaktuar ndryshime në trupin e saj.
''Jam lodhur nga njerëzit që komentojnë peshën time. Unë kam PCOS dhe luftoj me infertilitetin. Mbeta shtatzënë dhe nuk funksionoi dhe e mbaja atë dhimbje në heshtje. Unë kurrë nuk ia kam borxh askujt atë të vërtetë, por ndoshta tani do të mendoheni dy herë përpara se të komentoni për trupin e dikujt.''
Bebe theksoi se, edhe pse nuk ka obligim të shpjegohet për trupin e saj, vendosi të flasë për të treguar se sa e rëndësishme është të tregohet kujdes me komentet që bëhen për të tjerët.
Ajo nuk dha detaje të tjera lidhur me kohën e humbjes ose identitetin e partnerit, por theksoi se polemikat që u ngritën rreth peshës së saj ishin arsyeja kryesore që e shtynë të hapet për betejat personale që po kalon.
Bebe Rexha ka folur më parë për sindromën e vezores policistike, duke shpjeguar se kjo gjendje ka shkaktuar ndryshime të konsiderueshme në peshë dhe ka ndikuar në gjendjen e saj emocionale./Versus.al








