
Bayern Munich ka triumfuar me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Union Berlin në ndeshjen e radhës në kampionat, por përveç fitores, vëmendjen e mori edhe debutimi i një talenti me prejardhje shqiptare.
Mesfushori i ri Erblin Osmani bëri debutimin e tij me ekipin e parë të Bayern, duke u aktivizuar në minutën e 87-të në vend të Leon Goretzka. Ky moment shënon një hap shumë të rëndësishëm në karrierën e 16-vjeçarit, i cili konsiderohet një nga talentet premtues të akademisë bavareze.
Osmani, i cili vjen nga Gjilani, aktivizohet me ekipet e moshave të Bayern, përkatësisht U17 dhe U19. Falë paraqitjeve të mira dhe potencialit të tij, ai ka disa ditë që stërvitet me ekipin e parë, duke bindur stafin teknik për t’i dhënë mundësinë e debutimit.
Mesfushori i talentuar ka përfaqësuar gjithashtu Gjermaninë në grupmoshat U16 dhe U17, ku në 9 ndeshje ka shënuar një gol. Pritshmëritë për të janë të mëdha dhe e ardhmja e tij në futboll duket mjaft premtuese.

