
“Albanian Startups Diaspora Roadshow”, turi promovues i ekosistemit shqiptar të inovacionit në dy nga tregjet më potenciale të Europës - Zvicër dhe Gjermani - u përmbyll me sukses në Berlin, pas ndalesave në Zyrih më 18 maj dhe më pas në 20 maj, në Dyseldorf.
Në të tre aktivitetet morën pjesë aktorë të rëndësishëm, nxitës dhe mbështetës, të inovacionit, ekspertë, mentorë, biznesmenë dhe investitorë potencialë nga diaspora shqiptare. Ata u njohën nga afër me zhvillimet më të fundit të ekosistemit të inovacionit në Shqipëri, si edhe me projektet konkrete të startup-eve pjesëmarrëse në këtë tur promovues, të organizuar nga Startup Albania dhe EU4Innovation.
Gjatë takimeve, startup-et shqiptare prezantuan produktet, idetë dhe vizionin e tyre për zhvillim, duke ndarë gjithashtu nevojat për investime dhe partneritete strategjike.
Mes tyre ishte Qelq, startup-i që ndërthur artin tradicional të riciklimit dhe punimeve të qelqit me inovacionin modern; Qherence, i fokusuar në zhvillimin e zgjidhjeve të avancuara për sigurinë kibernetike dhe menaxhimin inteligjent të riskut digjital; GreenLab, që ofron zgjidhje teknologjike “smart farming” për sektorin e bujqësisë; Atelia Digital një platformë inteligjente për modën që lidh të dhënat e produktit dhe ndihmon brand-et të përmbushin kërkesat e Digital Product Passport, duke krijuar mënyra të reja përdorimi, shitjeje dhe ripërdorimi të produkteve; MedicALWall, një startup inovativ në fushën e teknologjisë shëndetësore, i krijuar për të ndihmuar njerëzit të menaxhojnë në mënyrë të sigurt informacionin e tyre mjekësor në një platformë të vetme; Senseven Health, një aplikacion i krijuaj për shëndetin mendor dhe Hobbista një aplikacion ku mund të shkëmbehen pasionet me të tjerët, për të krijuar komunitete më vibe energjik
Përmes bashkëbisedimeve të hapura dhe direkte, investitorët dhe profesionistët e diasporës ngritën pyetje, ndanë eksperiencat e tyre dhe identifikuan mundësi konkrete për krijimin e rrjeteve të bashkëpunimit, mentorimit dhe zgjerimit të startup-eve shqiptare edhe në tregjet ndërkombëtar, ku ata operojnë prej vitesh. Ky ishte edhe qëllimi kryesor i “Albanian Startups Diaspora Roadshow - ku kapitali takon inovacionin”.
Më shumë sesa një tur promovues, kjo nismë përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në mbështetjen e talenteve shqiptare, që janë zhvilluar brenda vendit dhe tashmë janë të gatshme të konkurrojnë edhe në tregjet ndërkombëtare.
Diaspora shqiptare mbetet një nga asetet më të çmuara për zhvillimin e inovacionit dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke ofruar jo vetëm kapital financiar, por edhe eksperiencë, rrjete bashkëpunimi dhe ekspertizë ndërkombëtare.
“Albanian Startups Diaspora Roadshow” është vetëm fillimi i një bashkëpunimi afatgjatë, mes ekosistemit në Shqipëri dhe diasporës, me qëllim që investimi dhe vizioni i përbashkët të mund të krijojnë histori të reja suksesi shqiptar, në Europë dhe më gjerë.

