
Në ditët e fundit të dhjetorit të shkuar, vëllai binjak i aktores së njohur Ema Andrea, ish-basketbollisti Enea Andrea humbi jetën teksa po bënte palestër.
Mjekët thanë se shkaku i vdekjes ishte arresti kardiak.
Mes lotëve dhe reflektimeve të forta për jetën, mungesën dhe vetminë, artistja tregoi në podcastin e radhës së Grida Dumës, se ende sot e pret telefonatën e tij.
“Pres të marrë në telefon ende… Fjala është e mangët, tani unë s’jam”, u shpreh ajo, teksa pranoi se pas ikjes së të vëllait nuk ndihet më e plotë. Në një tjetër moment rrëqethës, Ema Andrea tha se tashmë e kupton çfarë është vetmia e vërtetë.
“E kishim vendosur që ai do ikte para meje, por jo kaq herët”, tregoi ajo, duke shtuar se ndihet edhe e tradhtuar nga largimi i tij i papritur. Mes emocionesh të forta, aktorja zbuloi edhe lidhjen e pazakontë që kishte me binjakun e saj, duke thënë se ai ishte njeriu që do ta kuptonte gjithmonë, në çdo gjendje.
Një nga momentet më të forta të intervistës ishte rrëfimi për telefonatën fatale dhe çastin kur mbërriti në palestër. “Mu prenë gjunjët”, tregoi ajo, duke kujtuar momentin kur polici i kërkoi të mos kalonte më tej.
Ema Andrea foli hapur edhe për gjendjen e rëndë emocionale pas humbjes, duke pranuar se kishte menduar të dëmtonte veten, por nuk donte të prishte ceremoninë mortore të të vëllait. Ajo tregoi se në ato ditë të vështira pranë i qëndroi edhe Ori Nebiaj.
Në podcast, aktorja ndau edhe reflektime të forta për jetën, njerëzit dhe raportet njerëzore, duke thënë se dhimbja e kishte transformuar dhe i kishte dhënë një dimension tjetër vetes.

