
Vila Certosa, një nga rezidencat më të njohura të familjes Berlusconi në Porto Rotondo të Sardenjës, është shitur te familja mbretërore e Katarit, Al Thani, në një marrëveshje që raportohet të arrijë rreth 350 milionë euro.
Sipas mediave italiane, shitja shënon një nga transaksionet më të mëdha të pasurive të paluajtshme në Itali, duke i dhënë fund pronësisë së gjatë të familjes Berlusconi mbi këtë kompleks luksoz.
Që prej vdekjes së ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi në vitin 2023, Villa Certosa ka qenë në qendër të spekulimeve për shitje, me disa emra të përmendur si blerës potencialë, por pa një marrëveshje të konfirmuar deri më tani.
Burime pranë mediave italiane raportojnë se marrëveshja mes trashëgimtarëve të Berlusconit dhe familjes Al Thani është finalizuar ose ndodhet në fazën përfundimtare të zyrtarizimit.
Vila Certosa ndodhet në një nga zonat më ekskluzive të Costa Smeraldës dhe për vite me radhë ka shërbyer si rezidencë verore dhe vend takimesh private për ish-kryeministrin italian.
Familja Al Thani, e cila drejton Katarin, ka rritur ndjeshëm investimet në Sardenjë vitet e fundit, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe projekteve strategjike.
Me këtë shitje, Vila Certosa kalon në pronësi të re duke u konsideruar një nga pronat private më të shtrenjta të shitura ndonjëherë në Itali.Versus.al

