
Hetimet për dosjen e “CFO Pharma” janë zgjeruar më tej, ndërsa Prokuroria e Tiranës dhe Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor kanë evidentuar dyshime për një skemë fiktive në rimbursimin dhe qarkullimin e barnave, me një vlerë të përllogaritur mbi 2.3 milionë euro.
Fillimisht, në nëntor 2025, Prokuroria e Tiranës njoftoi arrestimin e disa personave të dyshuar për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “fshehjes së të ardhurave”, mes tyre ish-zyrtarë të sistemit të sigurimeve shëndetësore dhe përfaqësues të kompanive farmaceutike të përfshira në hetim.
Boldnews thotë se sipas hetimeve, dyshohet se është ngritur një skemë për rimbursim fiktiv të dy medikamenteve kryesore, “Trimbow” dhe “Foster”, me një dëm fillestar të vlerësuar në rreth 70 milionë lekë të reja.
Megjithatë, një raport i brendshëm auditimi i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, i përfunduar në janar 2026, ka zgjeruar ndjeshëm dyshimet, duke përfshirë edhe të paktën tetë medikamente të tjera në të njëjtën skemë të dyshuar.
Sipas raportit, vlera e faturave të dyshuara fiktive për këto medikamente arrin në rreth 160 milionë lekë të reja, ose mbi 1.6 milionë euro. Në total, së bashku me barnat e përfshira më herët nga hetimi, shuma e dyshuar kap rreth 2.3 milionë euro.
Dokumentet e auditit theksojnë se për disa medikamente nuk është konstatuar gjendje në depo për periudha të gjata, ndërsa furnizimet dhe shpërndarjet janë kryer brenda të njëjtës ditë, duke ngritur dyshime për veprime fiktive në zinxhirin e qarkullimit të barnave.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë gjithë zinxhirin e furnizimit dhe rimbursimit të barnave të përfshira në skemën e dyshuar. Versus.al

