
Aktivistja Sidorela Vatnikaj ishte një nga folëset në protestën e 25-të të zhvilluar në Tiranë, ku deklaroi se qytetarët prej javësh po kërkojnë ndryshim politik dhe një marrëdhënie të re mes shoqërisë dhe shtetit.
Ajo iu përgjigj edhe kritikave për fjalimet e mbajtura në podium, duke thënë se temat e ngritura lidhen me çështje që, sipas saj, nuk marrin vëmendjen e duhur në hapësirën publike.
“Për të gjithë ata që thonë se fjalimet në këtë podium qenkan pa nivel, a i keni dëgjuar ndonjëherë këto fjalime për korrupsionin, shëndetësinë, autokracinë, mediat, oligarkinë?”, u shpreh Vatnikaj.
Sipas saj, shoqëria shqiptare ka ndërtuar tashmë një “artikulim të ri politik” dhe një “kontratë të re sociale”, ndërsa theksoi se qytetarët nuk janë më të frikësuar dhe nuk mund të shantazhohen.
“Shoqëria shqiptare ka dalë në rrugë, nuk është më e frikësuar dhe nuk mund të shantazhohet më me bukën e gojës”, deklaroi ajo, duke shtuar se kërkesa për ndryshim është e qartë dhe e pandalshme.
Protesta e 25-të në Tiranë vijon si pjesë e një serie tubimesh të pandërprera gjatë javëve të fundit, ku protestuesit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale në vend.Versus.al

