
Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti tragjik i ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Lezhë-Milot, ku një përplasje mes një automjeti dhe një kamioni i mori jetën shtetasit nga Kosova, Kadri Behluli.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë përgjumja e viktimës gjatë drejtimit të automjetit. Kjo dyshohet se ka bërë që ai të humbasë kontrollin mbi mjetin, duke sjellë përplasjen fatale me kamionin dhe humbjen e jetës.
Në automjet me viktimën udhëtonin edhe dy familjarë të tij, motra dhe djali, të cilët mbetën të plagosur nga aksidenti. Ata janë transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime nga spitali bëjnë me dije se të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, drejtuesi i kamionit, shtetasi me inicialet A.M., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ku po kryhen veprimet procedurale dhe po merret në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Në njoftimin zyrtar, Policia bëri me dije se “si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit, shtetasi K.B., ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa motra e tij, shtetasja F.B., dhe djali i tij, shtetasi F.B., janë transportuar në Spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën”.
Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe shkaqet e aksidentit të rëndë që tronditi mëngjesin e sotëm aksin Lezhë-Milot.Versus.al

