
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në selinë e Europol në Hagë, ku është takuar me drejtorin ekzekutiv në detyrë, Jürgen Ebner, si dhe me përfaqësues të strukturave të specializuara të agjencisë.
Gjatë takimit, u diskutua forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Europol, me fokus në luftën kundër trafikut të drogës, grupeve kriminale, trafikimit të qenieve njerëzore, krimit financiar dhe mashtrimeve online.
Lamallari theksoi se Shqipëria po kalon një fazë të rëndësishme në procesin e integrimit europian dhe po dëshmon se është një partner i besueshëm në garantimin e sigurisë së përbashkët.
“Bashkëpunimi i ngushtë me Europol dhe pjesëmarrja në operacionet e përbashkëta janë dëshmi konkrete e këtij angazhimi”, u shpreh ministri.
Në përfundim të takimit, palët riafirmuan vullnetin për të thelluar më tej bashkëpunimin përmes shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit operacional në luftën kundër krimit të organizuar.
Gjatë vizitës në Hagë, Lamallari zhvilloi gjithashtu takime me homologun holandez dhe me presidentin e Eurojust, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe sigurisë.

