
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, protesta e 25-të kundër qeverisë po zhvillohet me gjithë kushtet e motit.
Pavarësisht motit të keq, qytetarët e mbledhur nuk janë shpërndarë dhe kanë vijuar qëndrimin në shesh, duke vazhduar tubimin e tyre.
Me çadra në duar dhe shumë prej tyre edhe pa mbrojtje nga shiu, protestuesit kanë vijuar të qëndrojnë në vend, duke thirrur parulla kundër qeverisë si “Rama ik!” dhe “Rama jep dorëheqjen!”.
Flamuj shqiptarë dhe pankarta me kërkesa për ndryshim politik janë valëvitur gjatë gjithë kohës, ndërsa folësit nga podiumi kanë vijuar fjalimet e tyre me thirrje për qëndresë.
Kërkesat kryesore të rilexuara sot në shesh:
Dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama.
Krijimi i një qeverie teknike me një mandat të qartë 12-mujor.
Ndryshime rrënjësore kushtetuese dhe ligjore, ku përfshihen:
Reformimi i plotë i Kodit Zgjedhor;
Rregulla të reja e të rrepta për financimin e partive politike;
Kufizimi i mandatit të kryeministrit në maksimum vetëm dy mandate.
Anulimi urgjent i politikave dhe ligjeve që dëmtojnë interesin publik, konkretisht:
Ligji për Zonat e Mbrojtura;
Ligji për Trashëgiminë Kulturore;
E ashtuquajtura “Paketa e Maleve”;
Ligji për Statusin e Investitorëve Strategjikë.
Hartimi i një kontrate të re sociale mes qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë

