
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Agonas të Kavajës, ku një konflikt mes dy vëllezërve të moshuar ka përfunduar me vrasjen e njërit prej tyre.
Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja është regjistruar rreth orës 20:30, kur 76-vjeçari Muhamet Rreshka ka vrarë me thikë vëllain e tij, Eqerem Rreshka, 74 vjeç.
Dyshohet se krimi ka ndodhur gjatë kohës që ndodheshin në arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë, në fshatin Agonas, të Kavajës.
74-vjeçari u transportua menjëherë për ndihmë mjekësore, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë. Autori është shoqëruar në polici, teksa hetimet po vijojnë, pasi nuk dihet se cili ishte shkaku që çoi në krimin e rëndë brenda familjes.
Pas ngjarjes, forcat e Policisë së Kavajës kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar, i cili është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.Versus.al

