
Gaurav Agrawal, një shkencëtar dhe fotograf amator që jeton në San Diego nuk mund ta besonte kur papritmas filloi të shihte një foto të bërë verën e kaluar të kthehej në problem.
Agrawal fotografoi muzgun në Liqenin St Mary në Parkun Kombëtar Glacier, Montana, foto të cilën e kishte titulluar "mbrëmje magjike" në gusht 2019.
Ai e ndau foton në platformën fotografike Flickr dhe nuk mendoi më për të.
Por problemi lindi kur përdoruesit e telefonave Android e shkarkuan foton.
Disa përdorues raportuan se kur u përpoqën të përdornin imazhin si sfond, ata zbuluan se ajo shkaktonte një problem në telefonat e tyre.
Pajisjet e tyre filluan të ndizen dhe fiken duke kërkuar 'factory reset' që do të thoshte se të gjitha të dhënat në to ishin fshirë.
Duke folur për fenomenin që ai shkaktoi pa dashje, Agrawal tha për BBC: “Nuk bëra asgjë me qëllim. Më vjen keq që njerëzit përfunduan me probleme”.
Agrawal pranoi se ai ishte një përdorues i iPhone dhe kështu nuk ishte në dijeni të problemeve që fotoja e tij shkaktonte përdoruesit e Android.
Si rezultat i përhapjes virale të çështjes për arsye të gabuara, postimi i Agrawal në Flickr tani përfshin një paralajmërim për përdoruesit e Android.
Ken Munro dhe Dave Lodge nga firma e sigurisë Pen Test Partners shpjeguan për BBC-në se pse mund të kishte ndodhur defekti: “Ndërsa fotot dixhitale janë përmirësuar në cilësi, telefonat duhet të kontrollojnë se cila është hapësira e ngjyrave të imazhit për të gjetur se si ta shfaqin atë në mënyra më e mirë e mundshme. Një telefon di se si të shfaqë saktësisht nuancën e duhur të jeshiles, për shembull.”
Ata shtuan se ka "disa mënyra për të përcaktuar hapësirën e ngjyrave" dhe se është e mundur të krijohen imazhe me më shumë informacione ngjyrash sesa mund të përballojnë disa pajisje.
"Ajo që ka ndodhur këtu është se mënyra se si disa telefona merren me këto kushte ka shkuar keq," vazhduan ata.
“Telefoni varet sepse nuk di si ta trajtojë siç duhet, dhe zhvilluesit e softuerit ndoshta nuk menduan se kjo mund të ndodhte”, përfunduan ata./Versus







