Diamanti i dytë më i madh në botë është gjetur në Botsvanë, në një minierë të firmës kanadeze Lucara Diamond, raporton BBC. Më saktësisht diamanti 2 mijë e 492 karatësh u gjet rreth 500 km (300 milje) në veri të kryeqytetit të Botsvanës, Gaborone. Është gjetja më e madhe pas diamantit Cullinan 3 mijë e 106 karatësh që u gjet në Afrikën Jugore në vitin 1905. Diamanti Cullinan, u pre në 9 copë dhe një pjesë e tyre gjenden në kurorën mbretërore britanike.
Qeveria e Botsvanës tha se ishte diamanti më i madh i zbuluar ndonjëherë në shtetin e Afrikës jugore. Zbulimi i mëparshëm më i madh në Botsvana ishte një gur 1,758 karatësh i gjetur në të njëjtën minierë në vitin 2019. Botsvana është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të diamanteve, duke zënë rreth 20% të prodhimit global. Në një deklaratë, Lucara tha se guri ishte “një nga diamantet më të mëdhenj të zbuluar ndonjëherë”.Firma nuk dha detaje për cilësinë e gurit apo vlerën e tij. Diamanti u zbulua me përdorimin e teknologjisë me rreze X, teknologji që përdoret që nga viti 2017 për të zbuluar dhe ruajtur diamante me vlerë të lartë në mënyrë që të mos thyhen gjatë proceseve të grimcimit të xeheve.







