
Kur kanë kaluar 10 vite nga ndeshja Shqipëri-Serbi ku lojtarët shqiptarë u dhunuan në fushë nga tifozë serbë, kapiteni Lorik Cana ka rikujtuar disa momente të episodit.
Ai tha se në momentin kur shpërtheu dhuna nuk kishte menduar për faktin se po cënohej në fushë, por ishte i shqetësuar për lojtarët. Në “Opinion” Cana rrëfeu se lojtarët e kombëtares u dhunuan deri pranë tunelit, ndërsa pasi hynë në dhomat e zhveshjes çdo gjë ishte më e qetë edhe me lojtarët serbë të cilët i kishin shprehur keqardhje për rastin.
Pjesë nga biseda në studio:
Blendi Fevziu: Pate ndonjë moment frikë për ekipin?
Lorik Cana: Portierët.
Blendi Fevziu: Ishin agresivë serbët?
Lorik Cana: Jo, kur u futëm brenda jo pastaj. Deri te tuneli kemi ngrënë pak dru, por kur e kaluam tunelin pastaj…
Cana kujton edhe reagimin e futbollistëve serbë që ishin në skuadër te Lazio me të.
Blendi Fevziu: A të ka qëlluar më mbrapa të flasësh me ndonjë prej futbollistëve serbë?
Lorik Cana: Unë kisha dy në skuadër. Kisha Dushanin dhe Gjorgjeviçin.
Blendi Fevziu: Ke biseduar ndonjëherë më me ta?
Lorik Cana: Patjetër.
Blendi Fevziu: Çfarë thoshin?
Lorik Cana: Keqardhje.
Blendi Fevziu: As ata nuk donin që ajo të ndodhte?
Lorik Cana: Shumica e tyre e dinë që gjithsesi që përveçse cenon imazhin e vendit të tyre, cenon edhe rezultatin pastaj. Versus.al








