Yjet e muzikës, fansat dhe ish-anëtarët e grupit i kanë bërë homazh Ozzy Osbourne, vokalistit të grupit të heavy metal, “Black Sabbath”, i cili ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare.
“Ne humbëm vëllain tonë”, tha bashkëthemeluesi i grupit Tony Iommi, ndërsa basisti Geezer Butler kujtoi koncertin e tyre të fundit dhe bateristi Bill Ward ndau një foto të vjetër të tyre së bashku.
Vdekja e ikonës së muzikës të martën erdhi më pak se tre javë pasi grupi i tij muzikor dha koncertin e lamtumirës në qytetin e tij të lindjes, Birmingham.
“Ai e donte atë që bënte, e donte muzikën. Jam shumë i lumtur që patëm mundësinë të mblidhemi përsëri për të bërë shfaqjen [e lamtumirës]”, tha Iommi.
Osbourne, i njohur për shfaqjet live energjike dhe kontraverse, frymëzoi një brez muzikantësh.
“Është e pamundur të përshkruhet me fjalë se çfarë ka nënkuptuar Ozzy Osbourne për Metallica-n”, tha grupi në një deklaratë në X. “Hero, ikonë, pionier, frymëzim, mentor dhe, mbi të gjitha, mik janë disa që më vijnë ndërmend”.
Black Sabbath ishin të shkëlqyer në zhanrin e muzikës heavy metal, duke shkruar këngë klasike si Paranoid, War Pigs dhe Iron Man.
Pasi u largua nga grupi në vitin 1979 për shkak të tensioneve në rritje me anëtarët e tjerë të grupit, Osbourne pati një karrierë të gjatë muzikore solo duke publikuar më shumë se një duzinë albumesh. Kënga e tij e parë e publikuar vitin tjetër, Crazy Train, është padyshim një nga këngët e tij më të famshme.







