
Pas humbjes së mbrëmshme ndaj Shqipërisë në Leskovac, trajneri Dragan Stojković i ofroi dorëheqjen drejtuesve të Federatës së Futbollit të Serbisë.
Sipas mediave serbe, Veljko Paunoviç do të jetë pasuesi i tij dhe pritet të drejtojë kombëtaren serbe.
Në një konferencë për media, Stojkoviç njoftoi se pas dështimit të fundit, ai vendosi të lërë postin e trajnerit. Ai gjithashtu shtoi se ndeshjen e ardhshme ndaj Andorës do ta drejtojë asistenti i tij, Goran Đoroviç.
Veljko Paunoviç është trajneri që ka arritur suksesin më të madh në futbollin serb të shekullit të XXI, duke udhëhequr ekipin e të rinjve të Serbisë në vitin 2015 për të fituar medaljen e artë në Kampionatin Botëror.
Në karrierën e tij, Paunoviç ka drejtuar disa skuadra, duke përfshirë Çikago Fajer, Reding, Gvadalaharën, Tigres dhe Real Ovijedon. Ai e çoi ekipin spanjoll në La Liga, por është larguar nga posti pas humbjes ndaj Levantes.
Pritet që ai të sjellë një ndryshim dhe të ndihmojë Serbinë të rikthehet në rrugën e duhur.
Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 0-1 kundër Serbisë në Leskovac me golin e Rey Manajt për kualifikueset e Botërorit 2026.
Kuqezinjtë ngjiten në kuotën e 11 pikëve për vendin e dytë të Grupit K, duke lënë pas serbët me katër pikë më pak. Kombëtarja ka luajtur gjashtë ndeshje në këto kualifikuese dhe deri në fund të turneut janë edhe dy takime.







