Të dielën në mbrëmje, shikuesit e “Rubrikës Sportive” u befasuan kur moderatoreja Hygerta Sako mungoi në ekran. Në vend të saj, drejtimin e programit e mori Kristo Thoma, gjë që ngjalli menjëherë pyetje mbi arsyet e largimit të saj të papritur.
Burime për Anabel.al tregojnë se mungesa e Sakos nuk ka lidhje me incidentin e fundit, ku ajo u kritikua për mënyrën se si reagoi gjatë një interviste me një futbollist afrikan. Sipas po këtyre burimeve, Hygerta pritet të jetë një nga banoret e edicionit të katërt të “Big Brother VIP Kosova”.
Burimet tregojnë se që prej ditës së shtunë, moderatorja është izoluar në hotel, një procedurë standarde përpara hyrjes në format, dhe pritet të shfaqet sot në mbrëmje si konkurrente.
Edhe pse mungesa e së dielës surprizoi publikun, burimet tona pohojnë se largimi i saj nga RTSH nuk ka qenë i menjëhershëm apo konfliktual. Përkundrazi, Sako mësohet t’i ketë njoftuar prej kohësh drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar për largimin. Mësohet gjithashtu se ndarja është bërë në mënyrë miqësore, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit.
