Më shumë se 3300 vjet pas vdekjes së tij, faraoni egjiptian Tutankhamun më në fund ka një fytyrë "të vërtetë" falë inteligjencës artificiale (AI).
Edhe pse maska e artë e vdekjes e mbretit egjiptian duket të jetë "perfekte", ai besohet të ketë vuajtur nga disa anomali fizike.
Daily Express ka prodhuar një rindërtim krejt të ri të faraonit bazuar në hulumtimet e fundit të ADN-së dhe të dhënat e reja mjeko-ligjore. Maska e artë e vdekjes e Tutankhamun nxjerr përsosmëri pothuajse hyjnore, por ekspertët kanë sugjeruar prej kohësh se pamja e tij aktuale ndryshon nga kjo. Gazeta britanike përdori gjeneratorin e imazhit të AI "Midjourney" për të krijuar një përshtypje besnike se si mund të ishte dukur faraoni gjatë jetës së tij të shkurtër.
Anomalitë
Tutankhamun, i cili ishte rreth 1.68 metra i gjatë, vdiq në moshën 19-vjeçare, me gjasë nga komplikimet e malaries dhe një thyerje në këmbë.
"Mumia paraqiste anomali të dukshme fizike. Për shembull, ai mund të ketë pasur një këmbë të shtrembër, një mjekër të tërhequr dhe dhëmbë të përparmë jashtëzakonisht të mëdhenj. Koka e tij duket gjithashtu pak më e gjatë se mesatarja, gjë që mund të jetë rezultat i defekteve gjenetike të shkaktuara nga martesat brenda të njëjtës familje (nga gjinia e ngushtë)."
Analiza e ADN-së së tij tregon se prindërit e Tutankhamonit kanë qenë vëlla e motër. Sipas gjenecistit Yehia Gad, i cili mori pjesë në analizën e mbetjeve të faraonit, kjo praktikë ishte e zakonshme brenda familjes mbretërore egjiptiane. “Ata donin të ruanin pastërtinë e gjakut mbretëror”, shpjegon ai. Kjo, megjithatë, në dëm të shëndetit të pasardhësve të tyre.
Rikonstruksioni me inteligjencë artificiale tregon një të ri me shtat të ngushtë, mjekër të tërhequr dhe dhëmbë si të lepurit. Tutankhamoni gjithashtu besohet të ketë pasur vithe relativisht të gjera për një burrë.
Sipas studiuesve, lëkura e Tutankhamonit ka qenë me ngjyrë ulliri. Kjo përputhet me përfundimet e antropologes Nina Jablonski. “Figurat mbretërore egjiptiane shpesh përfaqësoheshin me një ngjyrë të mesme kafe. Kjo ndoshta është një përafrim mjaft i saktë i pamjes së tyre reale,” shpjegon ajo për Daily Express. “Hipoteza jonë është se ai nuk ishte as i bardhë si dëbora, as i zi si qymyri. Ka të ngjarë të ketë qenë diku në mes.”
Një zbulim i jashtëzakonshëm
Tutankhamoni, djali i Akhenatonit, ka jetuar më shumë se 3.300 vjet më parë dhe u bë faraon në moshën 9-vjeçare. Pas vdekjes së tij, 10 vjet më vonë, trupi i tij i balsamosur u ruajt në sarkofagun e tij për mijëra vjet. Në vitin 1922, arkeologu britanik Howard Carter zbuloi dhomën e tij funerale në Luginën e Mbretërve – ndoshta zbulimi më spektakolar i shekullit XX. Carter hapi sarkofagun në vitin 1925 dhe ndër të tjera hoqi maskën funerale prej ari nga mumia e Tutankhamonit. Sot, ajo ruhet në Muzeun e Madh të Kajros.








