
Liam Payne, ish-ylli i One Direction, ka vdekur në moshën 31-vjeçare në Argjentinë pasi u rrëzua nga kati i tretë i një hoteli në Buenos Aires. Në një deklaratë, policia tha se zbuloi trupin e Payne pasi një ekuipazh i urgjencës iu përgjigj një thirrjeje emergjence në lagjen e pasur të Palermos të mërkurën.
Payne kishte arritur famë globale si pjesë e grupit shumë të dashur të krijuar në shfaqjen televizive X Factor në 2010, së bashku me Harry Styles, Louis Tomlinson, Niall Horan dhe Zayn Malik.
Në fillim të këtij muaji, Payne kishte marrë pjesë në koncertin në Argjentinë të ish shokut të tij të grupit One Direction, Niall Horan.
Sipas policisë në Buenos Aires, telefonata e bërë kishte raportime "të një burri agresiv që mund të ketë qenë nën efektet e drogës dhe alkoolit".
Kur mbërritën në hotel, zyrtarëve iu tha se një zhurmë e fortë ishte dëgjuar në një oborr të brendshëm. Menjëherë pas kësaj, ata gjetën trupin e pajetë të Payne.
Drejtori i shërbimeve të urgjencës mjekësore, Alberto Crescenti tha për mediat lokale se Payne kishte pësuar "lëndime serioze" dhe se do të kryhet një autopsi.
Zoti Crescenti nuk pranoi t'u përgjigjej pyetjeve në lidhje me rrethanat e rënies së Payne nga ballkoni.
Vetëm pak orë i riu kishte postuar në Snapchat me mbishkrimin: "Është një ditë e bukur këtu në Argjentinë". Versus.al







