Një deklaratë e bërë mbrëmë nga Ben Blushi në podcastin “Mirëmbrëma Yje” me Arbana Osmanin ka nxitur reagime dhe diskutime të shumta në rrjetet sociale.
Gjatë intervistës, shkrimtari dhe figura e njohur e medias trajtoi çështje fetare dhe sociale, duke dhënë opinione që shumë i konsideruan provokuese.
Duke folur për lidhjen e tij me fenë dhe mënyrën se si e percepton sjelljen e disa besimtarëve, Blushi shprehu mendimet e tij:
“Nuk e kuptoj pse njerëzit që falen gjithë ditën, dhe më akuzojnë mua që jam ateist, flasin në emër të Zotit, në emër të profetit dhe nga goja e tyre çfarë nuk del.
Sipas meje, mysliman është një njeri që pranon normat e një shoqërie civile. Një person që është katolik, ateist, nuk të dhunon që të besosh si ai, nuk dhunon gruan e tij, gocat e veta që të mbulohen. Islamikët nuk mbajnë fotografi familjare, është normë, këta janë islamikët. Kur janë te sheshi, kthejnë kurrizin Skënderbeut, sepse e quajnë armik të islamit.”
Deklarata e Ben Blushit u përhap menjëherë në rrjetet sociale, ku përdoruesit ndanë opinione të ndryshme: nga ata që e panë si një koment personal të tij, deri te ata që e kritikuan për përgjithësime ndaj komuniteteve fetare.
