MAGAZINË /

"Jo shumë njerëz e dinë", Jordi Alba tregon çfarë fshihet pas momentit ikonik të Messit në "Bernabeu"

Alba rrëfeu se Messi ishte kundëpërgjigjur ndaj fyerjeve të rënda.

Shkruar nga Versus

"Jo shumë njerëz e dinë", Jordi Alba tregon

Festimi i Lionel Messit pas golit në El Classicon e vitit 2017, u bë një moment ikonik që tentohet të kopjohet nga shumë futbollistë. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-3 në favor të Barcelonës në Santiago Bernabeu.

Së fundmi ish-futbollisti i Barcelonës, Jordi Alba dha detaje lidhur me reagimin e Messit duke thënë se nuk ishte i rastësishëm, por kishte ardhur si pasojë e fyerjeve të rënda ndaj tij.

“Jo shumë njerëz e dinë pse Messi e ngriti fanellën atë natë. Gjatë ndeshjes pati brohoritje dhe ofendime ndaj tij, madje e quajtën invalid dhe xhuxh. Kjo nuk i pëlqeu aspak”, u shpreh Alba.

Sipas mbrojtësit spanjoll, tensioni kishte filluar që në pjesën e parë. Në dhomat e zhveshjes, Messi kishte reaguar me zemërim ndaj situatës dhe kishte diskutuar me Luis Suarez për sjelljen e tifozëve.

“Ai ishte shumë i nervozuar dhe tha se njerëz të tillë nuk i përkasin futbollit. Fatkeqësisht, ofendimet vazhduan edhe në pjesën e dytë”, shtoi Alba.

Gjithçka kulmoi në fundin dramatik të ndeshjes, kur Messi shënoi golin e fitores për Barcelonën. Menjëherë pas golit, ai iu afrua tribunës së tifozëve vendas dhe ngriti fanellën e tij, duke krijuar një nga imazhet më të paharrueshme në historinë e futbollit.

“Sapo shënoi, ai i heshti të gjithë. Ishte si të thoshte: ‘Mbani mend emrin tim’”, përfundoi Alba. Versus.al

Poll