Pas dy vitesh në Arabinë Saudite, aventura e Cristiano Ronaldos me Al Nassr ka ardhur në fund.
Muaji i mjaltit ka përfunduar për yllin portugez, i cili, pas humbjes së skuadrës së tij me rezultat 3-2 ndaj Al Fateh, ka reaguar menjëherë në rrjetet sociale me një mesazh të qartë dhe simbolik: “Ky kapitull është i mbyllur. Historia? Ende po shkruhet. Faleminderit të gjithëve”.
Një deklaratë e fortë nga 40-vjeçari, që duket se konfirmon zërat për largimin e afërt.
Rinovimi me Al Nassr nuk është më në tryezë dhe Cristiano do të largohet sapo t’i përfundojë kontrata më 30 qershor.
Tashmë gjithçka tregon se ai është në pritje të një firme me një klub që do të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube të FIFA-s, që nis më 14 qershor.
Eksperienca e tij në Arabinë Saudite dhe në kampionatin vendas përfundon këtu.
As goli i tij i 25-të sezonal në kampionat dhe i 936-ti në karrierë, nuk mjaftoi për të larguar hidhërimin e një sezoni pa trofe, ku Al Nassr u mposht në garë nga rivali kryesor, Al Ittihad.
E ardhmja? Sipas spekulimeve të fundit, një pistë intriguese çon në Meksikë, te skuadra Rayados de Monterrey, ku aktualisht luan Sergio Ramos, ish-bashkëlojtari i Ronaldos te Real Madridi.
Një ribashkim i mundshëm mes tyre ndez imagjinatën e tifozëve të futbollit anembanë botës.







