MAGAZINË /

Kryemadhi ka 'dy fjalë' pak para finales së Big Brother Vip: Faleminderit Sara, Ledion dhe Arbër! Eksperiencë e paharrueshme

Shkruar nga Versus
Kryemadhi ka 'dy fjalë' pak para finales së Big Brother Vip:
Monika Kryemadhi

Monika Kryemadhi ka reaguar pak orë para finales së Big Brother VIP Albania, duke ndarë për publikun përjetimet e saj si opinioniste në këtë edicion.

Ish-politikania, e cila iu bashkua spektaklit në një rol të ri krah Arbër Hajdari, u shpreh se kjo eksperiencë i ndryshoi plotësisht perceptimin për formatin, duke theksuar se pas ekranit qëndron një ekip i madh dhe i përkushtuar.

Në reagimin e saj, Kryemadhi falënderoi veçanërisht moderatorin Ledion Liço dhe producenten Sara Hoxha, duke vlerësuar profesionalizmin dhe punën e tyre në realizimin e spektaklit.

Ajo theksoi se Big Brother, pavarësisht kritikave, përball publikun me realitete të vërteta që shërbejnë për reflektim, ndërsa shtoi se kjo përvojë i rikujtoi rëndësinë e të qëndruarit besnike ndaj vetes, pavarësisht gjykimeve.

Kryemadhi falënderoi gjithashtu publikun për mbështetjen gjatë këtij rrugëtimi, duke e cilësuar këtë eksperiencë si një nga më të veçantat në jetën e saj.

Reagimi i plotë i Monika Kryemadhit:

Të jem e sinqertë, Big Brother nuk e kisha ndjekur ndonjëherë dhe nuk e kuptoja plotësisht çfarë qëndron pas tij.

Të qenit pjesë e këtij formati ma ndryshoi komplet perceptimin.

Ajo që shohim në ekran është vetëm një pjesë e vogël e Big Brother sepse pas tij qëndron një ekip i jashtëzakonshëm që punon pa u lodhur, me përkushtim, orë të gjata, dhe shumë pasion për ta sjellë në jetë këtë format.

Kam fituar respekt të madh për të gjithë ata që janë pjesë e këtij rrugëtimi duke filluar nga produksioni e tek çdo person që kontribuon në këtë spektakël.

Big Brother shpesh kritikohet. Është e lehtë të krijosh një realitet perfekt, një “utopi” të kuruar, por ky format na përball me të vërteta që jo gjithmonë janë të bukura dhe pikërisht për këtë arsye, janë të rëndësishme. Sepse situata të tilla nuk ekzistojnë vetëm brenda një shtëpie televizive, ato ndodhin kudo. Çështja nuk është të bëhemi pjesë, por të reflektojmë dhe të mësojmë prej tyre.

Një falënderim i veçantë për dy bashkudhëtarët e mi në këtë rrugëtim, Ledion Liço dhe Arbër Hajdari, e keni bërë këtë një nga eksperiencat më të paharrueshme për mua.

Faleminderit Sara Hoxhës që je e palëkundur dhe e drejton me shumë siguri dhe profesionalitet këtë produksion kaq të madh. Duhet të jesh krenare.

Mirënjohje e veçantë për Saimir Muzhakën, Petrina Goricën, Eva Markun, Ergys Lubonjën dhe gjithë stafin për punën, përkushtimin dhe mënyrën si çdo detaj merr jetë përmes jush, duke e kthyer këtë format në atë që është.

Faleminderit për mundësinë, për eksperiencën dhe për çdo mësim të ri

Faleminderit publikut për mbështetjen, energjinë dhe që më shoqëruat gjatë këtij udhëtimi.

Mbi të gjitha, kjo eksperiencë më rikujtoi se, pavarësisht zërave apo gjykimeve, gjëja më e rëndësishme është të qëndrosh besnik ndaj vetes dhe zërit tënd./Versus.al

Poll