Berat Gjimshiti nuk do të jetë në dispozicion të Shqipërisë për sfidën ndaj Letonisë. Kapiteni kuqezi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do të detyrohet të qëndrojë jashtë ndeshjes së radhës, pasi u ndëshkua në barazimin pa gola kundër Serbisë.
Përballja në "Air Albania" ishte e fortë dhe e ngarkuar emocionalisht, ndërsa Shqipëria arriti të ruajë portën e paprekur. Por tashmë fokusi ka kaluar menjëherë te ndeshja e radhës, ku do të duhet të përballohet mungesa e një prej liderëve në prapavijë.
Trajneri Silvinjo, në konferencën pas ndeshjes, nuk dha emra të drejtpërdrejtë, por një emër u lexua qartë mes rreshtave — ai i Adrian Bajrami.
“Mungesa e Gjimshitit? Do ta shohim nesër. Tani kemi 5 qendërmbrojtës, bashkë me Adrian Bajramin që po më ‘çmend’ me paraqitjet e tij. Po luan shumë mirë,” u shpreh trajneri brazilian. “Ai do të shkojë në SHBA pas ndeshjes, për të luajtur me Benfikën në Botërorin e klubeve. Por për momentin, është me ne dhe mund të jetë një opsion serioz.”
Bajrami ishte mbrëmë në tribunë, por me hapësirën e lirë që lë Gjimshiti, mbrojtësi i Benfikës pritet të jetë pjesë e grupit aktiv për sfidën kundër Letonisë. Ai mbetet një alternativë e vlefshme në qendër të mbrojtjes, veçanërisht kur mungojnë emra të rëndësishëm.
Gjithashtu, edhe emra si Pajaziti, Dajsinani dhe Berisha nuk ishin në dispozicion për përballjen ndaj Serbisë, çka mund t’i japë Silvinjos më shumë mundësi për të rrotulluar skuadrën dhe për të testuar skema të reja.
Me një sfidë të rëndësishme në horizont dhe objektivin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, çdo vendim dhe zgjidhje në fushë ka peshë — dhe Silvinjo duket se po i lexon me kujdes të gjitha lëvizjet.







