Një rrëfim i fortë emocional ka ardhur nga banorja e “Ferma VIP”, këngëtarja shqiptare Elinara, e cila ndau për herë të parë publikisht një përvojë traumatike nga adoleshenca e saj.
Në një moment të ngarkuar emocionalisht, Elinara tregoi se ishte vetëm 18 vjeç kur, gjatë pushimeve verore, vendosi të punonte për herë të parë për të qenë e pavarur nga familja. Por një mëngjes i zakonshëm u kthye në një përballje për jetë a vdekje.
“Një komshi që e përshëndesja përditë, më ofroi një ‘ndihmë të vogël’: të më çonte në punë me makinën e një miku të tij. E pranova, sepse e njihja... nuk kisha arsye të dyshoja,” rrëfeu ajo.
Situata mori kthesë kur makina nisi të devijonte nga rruga e zakonshme. Atmosfera ndryshoi menjëherë.
“Shoferi kishte një vështrim të egër. U ktheva nga komshiu, ai më bëri shenjë të heshtja. Pastaj filluan kërcënimet: ‘Do të të vrasim’. Në atë moment kuptova që po rrezikohej jeta ime,” kujtoi Elinara me zërin që i dridhej.
Ajo mori një vendim të rrezikshëm, por që i shpëtoi jetën.
“Hapa siguresën dhe u hodha nga makina në lëvizje. Rashë pa ndjenja, e gjithë isha e plagosur, por isha gjallë. Më mirë të lëndohesha, sesa të ndodhte ajo që ata kishin planifikuar.”
Ngjarja, e cila ka ndodhur vite më parë, la pasoja të rënda në shëndetin e saj mendor.
“Për një kohë të gjatë s’isha më e qetë. Kisha frikë të dilja nga shtëpia. Nuk ndihesha e sigurt, as vetëm, as me njerëz. E mbajta për vete, nuk ua tregova as prindërve nga frika se do shqetësoheshin,” tha ajo.
Rrëfimi i Elinarës u prit me emocione nga banorët e tjerë të fermës dhe ka ngjallur reagime të shumta edhe në rrjetet sociale, si një thirrje e fortë për ndërgjegjësim mbi sigurinë e vajzave dhe grave të reja. Versus.al







