MAGAZINË /

Ministri serb pëson hemoragji cerebrale gjatë transmetimit direkt, video bën xhiron e rrjetit

Gjendja shëndetësore e Darko Glišić mbetet kritike

Shkruar nga Versus

Ministri serb pëson hemoragji cerebrale gjatë transmetimit direkt,

Një ngjarje dramatike ka tronditur opinionin publik në Serbi pasi Ministri i Investimeve Publike, Darko Glišić, pësoi një sulm në tru gjatë një interviste të drejtpërdrejtë në televizionin “Pink”. Incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur Glišić, i ftuar në një nga emisionet më të ndjekura informative, papritmas humbi aftësinë për të folur dhe filloi të belbëzonte, duke mos qenë në gjendje të formonte fjalë të plota.

Pamjet, që tashmë janë bërë virale në rrjetet sociale, tregojnë momentin kur prezantuesit ndërprenë menjëherë transmetimin, duke kuptuar seriozitetin e situatës. Ministri u dërgua me urgjencë në Qendrën Klinike të Beogradit, ku mjekët konfirmuan se ai kishte pësuar një sulm të rëndë në tru.


Sipas burimeve zyrtare të spitalit dhe raportimeve të mediave serbe, Darko Glišić është aktualisht në gjendje kritike, i shtruar në repartin e neurologjisë, ku mjekët po luftojnë për jetën e tij. Ministri është nën kujdes të specializuar intensiv dhe i është nënshtruar menjëherë trajtimeve emergjente për të zhbllokuar arterien e prekur në tru.

Reagime nga lidershipi serb

Gjendja e tij shëndetësore ka tronditur radhët më të larta të shtetit serb. Vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është parë duke hyrë në ambientet e spitalit pak pas incidentit, ku sipas burimeve, ka qëndruar për më shumë se një orë pranë ministrit Glišić. Në një postim në Instagram, Vuçiç publikoi një foto nga spitali, duke shkruar:
“Dare, qëndro i fortë. Nuk ka dorëzim!”

Edhe figura të tjera të rëndësishme të politikës dhe qeverisë serbe kanë reaguar me mesazhe solidariteti dhe shqetësimi. Ministri i Arsimit, Dejan Vuk Stankoviç, u shpreh se e kishte takuar Glišiçin vetëm dy ditë më parë dhe nuk kishte vënë re asnjë shenjë shqetësuese:
“Ishte energjik, i qetë dhe i përkushtuar si gjithmonë. Kjo që ndodhi është e pabesueshme.”

Profil i ministrit Glišić
Darko Glišić është një ndër figurat më të njohura të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe konsiderohet si një nga njerëzit më të besuar të Presidentit Vuçiç. Ai është emëruar Ministër i Investimeve Publike më 2 maj 2024 dhe është gjithashtu kryetar i Këshillit Ekzekutiv të SNS-së. Më parë ka shërbyer për shumë vite si kryetar i komunës së Ub, si dhe ka qenë i pranishëm në strukturat udhëheqëse të partisë që nga themelimi i saj në vitin 2008.

Gjendja shëndetësore 
Burime nga spitali kanë bërë të ditur se ministri është aktualisht nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga një ekip i specializuar neurologësh dhe kardiologësh. Operacioni i mundshëm është në shqyrtim, ndërsa mjekët nuk kanë dhënë ende një vlerësim përfundimtar për shkallën e dëmtimit neurologjik.

Situata mbetet kritike dhe në zhvillim e sipër, ndërsa pritet që gjatë orëve në vijim të jepen më shumë informacione mbi gjendjen e tij.

 

Poll