
Tiranë- Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-presidentit të Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda dhe zëvendëses së tij Aurela Guri të cilët akuzohen për tre vepra penale.
Deda u arrestua më 15 qershor të këtij viti pasi dyshohet se pavarësisht se gjykata kishte urdhëruar pezullimin e tij nga detyra në nëntor të 2023-it ai vijonte me vendimmarrjen e tij të paligjshme në institucion.
Denoncimi për Dedën është bërë nga Almiro Gurakuqi i cili kishte dokumentuar të gjithë veprimet bankare të kryera prej Dedës i cili dyshohet se ka shpërdoruar fondet e Urdhrit të Stomatologut pa justifikimet përkatëse.
Gjithashtu ka tjetërsuar miliona lekë fonde në forma biletash apo pagesash fiktive të cilat janë bërë në favor të familjarëve të tij apo palëve të treta. Sipas prokurorisë, që prej vitit 2016 Nikoll Deda ka kryer nepotizëm duke punësuar familjarë të tij me qëllim manipulimin e vendimmarrjes në këshillin kombëtar të institucionit ku votohej për buxhetin i cili nga viti në vit pësonte rritje.
Edhe zëvendësja e tij A.G sipas prokurorisë ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke marrë vendime të caktuara financiare për buxhetin e vitit 2024 duke autorizuar zbatimin e buxhetit të përkohshëm për një periudhë të caktuar kohore. Ajo u emërua si zëvendëse e Dedës në kundërshtim me vendimin e gjykatës në 2020-ën kur institucioni ishte nën masë sigurimi.
Nikoll Deda akuzohët për ‘Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën’, ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës’ ndërsa Aurela Guri akuzohet për shpërdorim detyre dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Versus.al







