Reperi i njohur, Mozzik, ka reaguar sërish duke bërë një sqarim publik në facebook lidhur me skandalin e fundit rreth orës që kishte prezantuar si origjinale Richard Mille, e cila rezultoi të ishte e falsifikuar.
Në postimin e tij, Mozzik ka theksuar se ajo që ndodhi ishte pjesë e një “loje me skenar” nga ana e tij, por shtoi se incidenti nxori në pah një problem më të gjerë: sipas reperit, disa persona nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë personale me të prej kohësh.
“Moti kohë disa nga VV-ja e kanë personale me mua. Kjo që ndodhi me orën këto ditë ishte një lojë me skenar nga unë, por e vërteta është se ata e kanë bërë çështje personale me mua prej shumë kohësh – dhe këtë e dini edhe vetë,” ka shkruar Mozzik.
Reperi ka ftuar gjithashtu personat që ishin në detyrë atë natë të dalin hapur dhe të tregojnë presionet që sipas tij i janë bërë prej Hekuranit e Dimalit për ta ndaluar në aeroport, duke e cilësuar këtë si një sulm politik.
Mozzik ka shtuar se gjatë dy viteve të fundit është përballur me padrejtësi nga ATK, duke theksuar se skandali i orës vetëm konfirmoi pretendimet e tij. Ai ka mohuar çdo lidhje me aktivitete të paligjshme: “Ama jo, jo – nuk i kam fituar paratë as me drogë, as me hajni. I kam fituar vetëm me talentin tim. Dhe me orë fallco nuk mundet askush të më tatimojë me mijëra e mijëra euro”.
Ai ka përmendur edhe Kryeministrin, duke pyetur në mënyrë retorike nëse është në dijeni për “inatet personale të vendasëve” ndaj tij, ndërsa mbyll mesazhin me një ton të vendosur: “Unë i kam vetëm 29 vjet, por gjithmonë kam qenë një hap para jush. Më leni rahat, se tash ju nxora ashiqare! Suksese!”.







