Edicioni i 81-të i Festivalit të Filmit në Venecie u kurorëzua sonte me ceremoninë solemne të ndarjes së çmimeve. Pas një jave të bujshme me premiera filmash, çmimin prestigjioz “Luani i Artë” për filmin më të mirë e mori “The Room Next Door” i regjisorit spanjoll Pedro Almodóvar.
Trofeun ia dorëzoi drejtuesi i ri i Bienales në Venecia, Pietrangelo Buttafuoco, ndërkaq Almodovar u shpreh se ky është filmi i parë i tij në anglisht por shpirti i tij është në spanjisht”.
Çmimi për regjinë më të mirë “Luani i Argjendtë” shkoi për Brady Corbet për spektaklin e tij prej 3.5 orësh “The Brutalist”, me aktorët Adrian Brody dhe Felicity Jones.
Nicole Kidman mori çmimin për aktoren më të mirë për rolin e saj në trillerin erotik “Babygirl”, por nuk ishte në gjendje ta pranonte çmimin vetë pasi nëna e saj, Janelle Ann Kidman, ka vdekur.
Regjisorja Halina Reijn ka dalë në emër të Kidman: “Jam në shok dhe më duhet të shkoj te familja ime, por ky çmim është për të… Jam shumë mirënjohëse që mund t'ju them emrin e saj të gjithëve. Përplasja e jetës dhe artit është zemërthyese dhe zemra ime është thyer”, është cituar Kidman.
Aktori francez Vincent Lindon mori Çmimin për aktorin më të mirë për interpretimin e tij në filmin “The Quiet Son”, ku bëhet fjalë për një baba dhe djalin e tij të ndarë nga ideologjitë e tyre politike.







