MAGAZINË /

Ndahet nga jeta Zhaneta Petushi, “magjistarja” e grimit që la gjurmë në artin shqiptar

Lajmin e ka bërë me dije regjisori Pëllumb Kulla, një mik i ngushtë i artistes, i cili shpesh ka ndarë urime, kujtime dhe postime për virtytet e saj. Por jeta e detyron që të ndash edhe lajme hidhërimi që nuk do të doje kurrë të shpërndaje.

Shkruar nga Versus
Ndahet nga jeta Zhaneta Petushi, “magjistarja” e grimit që la
Zhaneta Petushi

Një lajm i trishtë ka mbërritur mëngjesin e kësaj të premteje: Zhaneta Petushi, e njohur si “Zhani” nga miqtë e saj më të afërt, është shuar në Kaliforni, aty ku jetonte prej vitesh.

Lajmin e ka bërë me dije regjisori Pëllumb Kulla, një mik i ngushtë i artistes, i cili shpesh ka ndarë urime, kujtime dhe postime për virtytet e saj. Por jeta e detyron që të ndash edhe lajme hidhërimi që nuk do të doje kurrë të shpërndaje.

Sipas regjisorit, Petushi nuk arriti të mposhte një sëmundje të rëndë, pavarësisht kujdesit të mjekëve amerikanë dhe përkushtimit të djalit të saj, Xhorxhit.

“Na la Zhani Petushi. Na la e mira Zhani… Na la, e bukura Zhaneta Petushi! Një sëmundje e rëndë dhe e zgjatur nuk u mposht dot as nga spitalet amerikanë, as nga përkujdesja e Xhorxhit dhe e të dashurve të saj, as nga lutjet e artistëve që ndiqnin luftën e saj nga mbarë bota,” shkruan Pëllumb Kulla.

Petushi ka lënë gjurmë të thella në artin shqiptar. Për dekada me radhë, ajo ka qenë grimierja e preferuar e aktorëve, këngëtarëve dhe politikanëve, duke punuar në Radio Televizionin Shqiptar, Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe në Asamblin Artistik të Ushtrisë. Midis shumë të famshmëve që ka grimuar janë Vaçe Zela, Zoica Haxho, Edi Luarasi, Naim Frashëri, madje edhe figura të shquara të kohës, përfshirë Enver Hoxhën.

Në një intervistë të mëparshme, Petushi rrëfeu se vendimi për t’u bërë grimiere erdhi pas eksperiencës së saj si valltare dhe ndikimit të disa kolegeve dhe solisteve të Operës dhe Baletit, veçanërisht Jorgjie Misa, gruaja e drejtorit të RTSH-së.

Zhaneta Petushi do të mbahet mend për dorën e saj të mjeshtëruar, delikatesën dhe pasionin që vendoste në çdo grim, duke ndriçuar ekranet shqiptare me portrete që nuk harrohen lehtë.

“Rrugë të mbarë, Zhani, nëpër kujtimet tona të shtrenjta,” shkruan Pëllumb dhe Xhuljeta Kulla, duke përcjellë një mesazh dashurie dhe nderimi për një artiste të rrallë./Versus.al

Poll