
Kompania ajrore islandeze Icelandair ka nisur në fillim të muajit prill një fushatë të pazakontë marketingu, duke kërkuar personin që meriton titullin “fotografi më i keq në botë”.
Ideja pas kësaj nisme është e thjeshtë: të tregojë se Islanda është një vend aq mahnitës, saqë edhe një fotografi e dështuar mund të duket si një vepër arti.
Përmes llogarive të saj në Instagram dhe Facebook, Icelandair shpalli konkursin me disa kritere mjaft të veçanta. Kandidatët nuk duhet të kenë aftësi në fotografi, të mos jenë të apasionuar pas saj dhe të jenë shpesh të zhgënjyer nga fotot që realizojnë.
Pjesëmarrësit duhet gjithashtu të jenë të paktën 21 vjeç dhe të aftë fizikisht për të udhëtuar dhe për të bërë ecje në natyrë. Kjo do të thotë se personat që bëjnë vazhdimisht foto të paqarta ose që vendosin pa dashje gishtin para objektivit, mund të jenë kandidatët idealë për këtë sfidë.
View this post on Instagram
Një udhëtim falas dhe 43 mijë euro shpërblim
Për t’u regjistruar, aplikantët duhej t’u përgjigjeshin gjashtë pyetjeve që lidhen me mungesën e aftësive të tyre fotografike dhe të regjistronin një video të shkurtër ku të shpjegonin pse nuk janë të përshtatshëm për t’u bërë fotografë.
Një përdoruese e Instagramit reagoi me humor ndaj nismës, duke shkruar: “Duke parë të gjitha fotot që më ka bërë burri im, mendoj se ai do të ishte kandidati perfekt.”
Fituesi i konkursit do të përfitojë një udhëtim 10-ditor në Islandë me të gjitha shpenzimet e mbuluara, si dhe një pagesë prej 43 mijë eurosh për krijimin e përmbajtjeve dhe pjesëmarrjen në fushatën promovuese të kompanisë.
Sipas Icelandair, qëllimi është të dëshmohet se akullnajat, ujëvarat dhe peizazhet vullkanike të Islandës janë aq spektakolare, saqë edhe një person pa asnjë përvojë në fotografi mund të realizojë imazhe mbresëlënëse.
View this post on Instagram
Mbi 127 mijë aplikime
Interesi për konkursin ka qenë i jashtëzakonshëm. Midis 18 marsit dhe 30 prillit, kompania mori plot 127.642 aplikime.
“Situata ndoshta doli pak jashtë kontrollit”, tha me shaka Icelandair një javë më vonë. “Mesa duket ka shumë më tepër fotografë të këqij sesa mendonim.”
Më 28 maj, kompania publikoi emrat e 13 finalistëve në Instagram, ndërsa fituesi përfundimtar ende nuk është shpallur.
Ndërkohë, shumë prej kandidatëve të eliminuar kanë shpërndarë në rrjetet sociale letrat e refuzimit që kanë marrë nga kompania.
“Pas shqyrtimit të kujdesshëm të të gjitha aplikimeve, kemi bërë përzgjedhjen përfundimtare dhe, për fat të keq, ju nuk jeni përfshirë. Lajmi i mirë është se, mes një oqeani fotosh me cilësi të diskutueshme, ju thjesht nuk jeni më i keqi. Urime... në njëfarë mënyre”, shkruhej në mesazhin e Icelandair.

Me këtë fushatë, kompania islandeze po ndjek një prirje gjithnjë e më të përhapur në industrinë e turizmit, ku destinacionet promovohen përmes përvojave autentike të krijuesve të përmbajtjeve dhe udhëtarëve të zakonshëm, në vend të fotografive profesionale të kuruara në mënyrë perfekte.

