Pas një muaj agjërimi dhe sakrifice besimtarët myslimane festoj sot Fiter Bajramin.
Mijëra besimtarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të kryer ritet dhe për të falur Namazin.
Në fjalën e tij kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu tha se sot kjo ditë i gjen të gjithë me zemra të mbushura plotë, duke theksuar se “sakrifica jonë është pranuar”.
“Jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden, njeriu matet me atë që ka. Bajrami na kujton unitetin, mëshirën dhe drejtësinë, ne jemi një komb. Kjo ditë është një urë mes asaj që kemi mësuar në Ramazan dhe atë që do të bëjmë pas tij. Lusim Zotin që ta ketë pranuar agjërimin, të na japë forcë për të përballuar sfidat e jetës”, tha Bujar Spahiu.
Mesazhi i kreut të KMSH shkoi për familjen, i cili tha se familja shqiptare nuk po jeton ditët më të mira.
"Zoti na thotë që: Më i miri prej jush është ai që është më i dobishëm për njerëzit. Ndaj sot kemi nevojë për njerëz me karakter, që nuk tuten nga frika por qëndrojnë drejt ndaj së vërtetës, Kjo ditë s’është vetë festë, por edhe mesazh. Ne jemi një komb, dhe një familje nuk e braktis njëri-tjetrin. Sadakaja është një rikujtim ku pasuria nuk është në dorën e një njeriu por të gjithkujt. Zoti na mëson se pasuria nuk është në atë çfarë mbledhim, por atë çfarë shpërndajmë”, u shpreh ndër të tjera Spahiu.
Fiter Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fiter Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, dhe kështu në këtë mënyrë festojnë së bashku këtë festë.
Me përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, të gjithë ata që agjëruan do t`i kthehen përditshmërisë ditore të tyre, që nga dita e sotme, ku po shënohet Fitër Bajrami.
Fitër Bajrami është emërtim i përbërë nga dy fjalë të huaja; “fitër” arabisht dhe “bajram” turqisht, kurse nëse në gjuhën shqipe mund të quhet “Festa e Fitrit”. Në arabisht kjo festë quhet “ “Iidul fitër”, e cila ka kuptimin e kthimit në natyrshmëri. Besimtarët myslimanë të cilët ishin të përkushtuar gjatë gjithë këtij muaj të Ramazanit, tani kthehen në natyrshmërinë e tyre të përditshme, duke vazhduar orarin e zakonshëm të ushqimit rutinor ditor si dhe gjumit të natës ashtu si edhe më parë.
Zoti ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fiter Bajramit, gëzim për myslimanët, ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.
Versus.al uron të gjithë besimtarët myslimanë gëzuar Fiter Bajramin.








