Futbollistët e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj dhe Taulant Seferi, duket se janë gjobitur nga Policia e Shtetit për ndotje akustike. Siç duket në një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ata shihen duke lëvizur me një automjet luksoz në qendër të Tiranës.
Sipas burimeve, dy lojtarët kuqezi ndodheshin në makinën luksoze të Hysajt duke qarkulluar në zonat qendrore të kryeqytetit, kur dyshohet se janë ndaluar pasi automjeti ku ata ndodheshin ka shkaktuar nivele të larta zhurme, duke sjellë ndërhyrjen e policisë dhe vendosjen e masës administrative.
Ngjarja ka marrë vëmendje të gjerë në rrjet, pasi dy futbollistët janë figura të njohura të sportit shqiptar dhe pjesë e rregullt e përfaqësueses kombëtare.
Deri tani nuk ka pasur një reagim publik nga vetë lojtarët apo policia lidhur me incidentin.

