Kombëtarja Shqiptare përballet mbrëmjen e sotme në orën 18:00 me Gjeorgjinë në stadiumin e Tiblisit me qëllim që të thyejë ‘mallkimin’ e ndeshjeve të fundit dhe të arrijë fitoren përballë rivalëve të cilët kanë qenë surpriza e kampionatit europian që u zhvillua në korrik.
Takimi do të gjykohet nga arbitri holandez, Danny Makkelie i cili ka qenë ‘fatsjellës’ për tanët pasi ka gjykuar edhe në ndeshjen e luajtur në Tiranë përballë Çekisë ku arritëm fitoren me rezultatin 3:0.
Përsa i përket formacionit, trajneri brazilian Sylvinho ka bërë disa ndryshime dhe pritet të luajë me skemën 4-3-3 duke zëvendësuar ata të cilët luajtën herën e kaluar. Këtë herë, nga minuta e parë mbrojtja e krahut të djathtë do i besohet Balliut, ndërsa ndryshime ka edhe në mesfushë e sulm.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Balliu, Ismajli, Ajeti, Mitaj; Ramadani, Asllani; Laçi, Bajrami, Asani; Tuci Trajner: Sylvinho. Versus.al







