Aktorja e njohur Eliona Pitarka ka reaguar ashpër ndaj pediatrit Dr. Edi Tushe, i cili e akuzoi publikisht se po përdor emrin e tij pa autorizim për të promovuar dieta fëmijësh në rrjetet sociale. Përmes një serie InstaStory të gjata dhe emocionale, Pitarka shprehet e tronditur nga dezinformimi publik, duke theksuar se klinika e mjekut ndjek shëndetin e vajzave të saj prej vitesh dhe marrëdhënia profesionale mes tyre është e shkëlqyer.
Ajo sqaron se postimet e saj ishin vetëm informacion i përgjithshëm për ndihmën e prindërve që nuk përballojnë dot klinikat private:
“Asnjëherë nuk kam publikuar regjimin ushqimor të fëmijëve të mi, as nuk e kam lidhur emrin e Dr. Edit me produkte apo përfitime. Në komunikime private, ai më ka mbështetur të ndaj këshilla të përgjithshme për nënat”.
Pitarka mohon çdo promovim personal, duke u betuar se synimi ishte vetëm ndërgjegjësimi dhe jo shkelja etike.
Debati ka shpërthyer pas deklaratës së mjekut Tushe, i cili paralajmëroi për rreziqet e dezinformimit dhe refuzoi autorizimin e përdorimit të emrit të tij.
Aktorja premton të vazhdojë si gjithmonë e ndershme dhe në anën e prindërve, pa dëmtuar figurën e profesionistëve.



