Aktori Rrezart Veleshnja ka ndezur debat me një deklaratë të bërë në një intervistë së fundmi, ku pretendoi se reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, nuk ka marrë ende shpërblimin prej 60 mijë eurosh që fitoi si fitues i edicionit të parë të Big Brother VIP Kosova, afro dy vite më parë. Sipas Veleshnjës, paratë e çmimit të madh nuk janë dhënë, duke ngritur pikëpyetje për transparencën e organizatorëve të spektaklit.
Por këtyre pohimeve u është përgjigjur menjëherë babai i Stresit, Sali Lushaj, i cili i ka quajtur deklaratat e aktorit shpifje dhe trillime pa asnjë bazë. Në një prononcim për mediat, Lushaj ka sqaruar se paratë janë marrë të gjitha, dhe se vetë ai është kujdesur për ndjekjen e procedurave të nevojshme financiare menjëherë pas përfundimit të spektaklit.
“Është komplet e pavërtetë ajo që është deklaruar, është shpifje dhe trillim, ku di unë nga kush. E vërteta e parave është se lekët që Stresi i ka fituar në BBVK, të gjitha i kam tërhequr unë. Jam marrë vetë me të gjitha veprimet”, – deklaroi Sali Lushaj.
Ai shtoi se menjëherë pas finales ishte prezent për të nënshkruar kontratën për përmbushjen e marrëveshjes financiare me drejtuesit e televizionit organizator dhe nuk ka pasur asnjë vonesë apo pengesë në këtë proces. /Versus.al







