
Dritan Shakohoxha, ish-komentatori sportiv ka treguar një rast të çuditshëm dhe qesharak që lidhet me gjuhën e urrejtjes së përdorur në rrjetet sociale. Pavarësisht se prej tre vitesh nuk komenton ndeshje, një prej tifozëve të zemëruar e kishte ofenduar në Instagram duke menduar se ai kishte qenë duke komentuar një ndeshje mes klubeve evropiane.
“Më ngrohen nervat, sa të duash. E di sa vetave u kam kthyer përgjigje?! U shkruaj, shpesh kam gjetur edhe kështu ironi. Kam historia nga më të ndryshmet. Unë nuk komentoj më ndeshje, kam tre vjet që nuk komentoj më ndeshje dhe nuk kam më ndërmend që të komentoj më ndeshje. Dikush që punon në një televizion, ka një ngjashmëri me mua.
Vjet më shkruan dikush në Instagram, ti more që e nxore kokën që dole tifoz i Interit dhe nisi duke me sharë. Më shkruan, duke më sharë nga të gjitha anët: ‘ti more që e qite kokën, robt ku t’i kesh, e nxore që je tifoz i Interit’. Unë i shkruaj ‘ i nderuar zotëri unë kam tre vjet që nuk komentoj më ndeshje, por gjithsesi robt ku t’i kesh edhe ti’. Realisht njerëzit mendojnë se kanë të drejtë të të gjykojnë dhe të japin një mendim për ty”, tregoi Shakohoxha në Opinion. Versus.al

