
Aktori Ermal Mamaqi ka ndarë një rrëfim emocional për ndarjen nga jeta të mikut të tij, artistit të njohur Dr Flori, duke folur për betejën e tij me varësinë dhe momentet e vështira që përjetoi.
Në një intervistë për “S’e luan topi”, Mamaqi tregoi se këngëtari kishte arritur të shkëputej plotësisht nga droga dhe jeta e natës, duke u fokusuar te familja dhe një stil jetese më i qëndrueshëm.
“Ai në fakt e la drogën, ai u pastrua dhe u rehabilitua 100%. E tërhoqa nga jeta e natës, drogës, alkoolit, dhe ai u bë shumë familjar. Flori pati një moment dobësie nga disa gjëra që ndodhën në jetën e tij dhe fatkeqësisht ai nuk ia doli dhe u rikthye sërish”, tregoi aktori.
Sipas Mamaqit, ndarja nga jeta e Dr Florit ka lënë një mesazh të fortë për shoqërinë, veçanërisht për të rinjtë.
“Ne bëmë dhe një këngë ‘mos pi mall, bëj palestër’, madje patëm dhe një projekt me Florin që të shkonim në shkolla dhe të tregonte si e la drogën, por ai projekt nuk ndodhi por ajo që ndodhi është se ai iku dhe dha një mesazh edhe më të madh, që kjo rrugë të çon drejt vdekjes. 17 nëntor kur Flori ndërroi jetë dhe ka qenë moment shumë i vështirë për mua. Doja të jepja kontributin tim si vëlla, si shok, që ai të kthehej… por kështu duhej të ndodhte. Rrugët e Zotit nuk i kuptojmë, por ai edhe me vdekjen e tij e la një mesazh”, tha ai.

