'Telenovela' futbollistike mes Shqipërisë dhe Serbisë rikthehet me një kapitull të ri! Teksa data 11 tetor 2025 po afron, kur dy kombëtaret do të përballen për eliminatoret e Kupës së Botës 2026, Federata Serbe e Futbollit ka bërë një lëvizje surprizë: kërkon ta zhvendosë ndeshjen jashtë Beogradit!
Konfirmimi ka ardhur nga vetë sekretari i përgjithshëm i FSS, Branko Radujko, i cili përmes një deklarate për shtyp sqaroi arsyet e kësaj kërkese që tashmë i është adresuar zyrtarisht UEFA-s.
“Ne nuk dëshirojmë që kjo ndeshje të zhvillohet në Beograd. E dimë historinë mes dy kombëtareve dhe nuk duam të rrezikojmë me trazira apo tensione të panevojshme,” – tha Radujko, duke iu referuar episodeve të mëparshme të mbushura me polemika dhe incidente.
Në vend të atmosferës elektrizuese të Beogradit, serbët propozojnë të luajnë në Stadiumin "Duboçica" në qytetin e Leskovcit, një impiant i ri, i përuruar në 2023, me kapacitet prej vetëm 8,136 ulësesh. Nga një “Marakanë” me 50 mijë vetë... në një fushë më modeste dhe (sipas tyre) më e sigurt.
Kjo lëvizje ka ngjallur shumë diskutime në rrjetet sociale, me tifozë që ndahen mes atyre që e shohin si një masë sigurie... dhe atyre që mendojnë se Serbia “po i trembet” atmosferës që mund të krijojnë kuqezinjtë edhe jashtë shtëpisë.







