Një letër e rrallë, e shkruar nga një prej të mbijetuarve më të njohur të Titanikut, është shitur për një shumë marramendëse prej gati 400,000 dollarësh në një ankand në Angli. Letra u shkrua më 10 prill 1912, në bord të Titanikut, vetëm pak ditë përpara se anija të godiste ajsbergun dhe të mbytej në Oqeanin Atlantik.
Autori i saj është Archibald Gracie, një pasagjer i klasit të parë dhe veteran i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, i cili u bë i njohur për përpjekjet e tij heroike për të shpëtuar pasagjerë dhe për librin që më vonë botoi mbi tragjedinë: “E vërteta për Titanikun”. Në letrën drejtuar xhaxhait të shitësit, Gracie shkruante: “Është një anije e shkëlqyer, por do të pres fundin e udhëtimit përpara se të jap gjykimin tim për të.”
Letra, që besohet të jetë e vetmja e mbijetuar nga dora e Gracies e shkruar në Titanik, u shit një koleksionisti amerikan nga shtëpia e ankandeve Henry Aldridge & Son. Çmimi përfundimtar – 300,000 paund – e kaloi disa herë vlerësimin fillestar prej 60,000 paundësh.
Letra u dërgua nga porti i Queenstown-it, një nga ndalesat e fundit të Titanikut përpara nisjes drejt fatit tragjik. Ajo përfaqëson jo vetëm një copëz të rëndësishme historie, por edhe një dëshmi të drejtpërdrejtë nga bordin e një prej ngjarjeve më të bujshme detare të shekullit XX.








