Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti ka shkruar një biografi të karrierës së tij në futboll, të titulluar “Ëndrra: Si të fitosh Ligën e Kampionëve”, e cila publikohet më 1 tetor.
Libri me 320 faqe përfshin përvojat e tij si lojtar dhe trajner te Milani (gjashtë kapituj) dhe Real Madridi (pesë kapituj), ndërsa periudha te Bayern Munich nuk ka një kapitull të veçantë. Megjithatë, aty trajneri italian rrëfen detaje të pakëndshme nga koha e tij në klubin bavarez.
Ancelotti nënshkroi me Bayernin në vitin 2016 dhe u shkarkua pas vetëm 15 muajsh, pas humbjes 3-0 kundër PSG-së në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Në atë periudhë, ai fitoi një titull të Bundesligës dhe dy Superkupa të Gjermanisë, por, siç shkruan ai, “për Bayernin ky ishte minimumi i pritshëm”.
Trajneri italian përshkruan një atmosferë pune ndryshe nga klubet e tij të mëparshme: “Ishte hera e parë që punoja në një klub pa një pronar karizmatik. Në vend të kësaj, kishte një bord të gjerë, me legjenda e ish-lojtarë që mbanin peshë në vendimmarrje. Nuk ishte e lehtë të kuptoja kush kishte më shumë pushtet”.
Një moment që e shënoi Ancelottin ishte kur iu dha një “listë me pesë rregulla” që duhej t’ua lexonte lojtarëve. “I dola para ekipit, nxora fletën dhe thashë: ‘Kam urdhër nga bordi që t’ju lexoj këtë listë’. Ishte mënyra ime për t’u distancuar, sepse kjo nuk ishte mënyra ime për të menaxhuar dhomën e zhveshjes”, kujton ai.
Pika kulmore erdhi më 27 shtator 2017, kur Bayern Munich u mposht 3-0 nga PSG-ja, humbja më e rëndë në 21 vite të klubit në Ligën e Kampionëve. Pas ndeshjes, Karl-Heinz Rummenigge paralajmëroi pasoja të menjëhershme, dhe të nesërmen Ancelotti u shkarkua. Ai e përshkruan këtë si “shkarkimin më të pamëshirshëm të karrierës” së tij.
“E kuptova që nuk të duhet një pronar i çrregullt për t’u shkarkuar. Edhe aksionarët mund ta bëjnë këtë”, shkruan Ancelotti, i cili më parë ishte larguar nga Juventusi, Chelsea dhe Real Madridi.







