UEFA ka vendosur që Shqipëria dhe Serbia të vazhdojnë të përballen në kualifikueset për Botërorin 2026, pavarësisht trazirave të mëparshme në Beograd gjatë eliminatoreve të Euro 2016. Megjithatë, kjo sfidë cilësohet si me rrezikshmëri shumë të lartë, ndaj federata europiane e futbollit ka marrë masa të veçanta për të garantuar sigurinë.
Në stadiumin e Tiranës do të jetë i pranishëm delegati i UEFA-s, zvicerani Zhak Antenen, i cili do të ketë autoritet të plotë mbi çdo aspekt të ndeshjes, përfshirë edhe mundësinë e ndërprerjes së saj në rast trazirash.
Antenen njihet si një ekspert sigurie me përvojë të gjatë, pasi ka shërbyer mbi një dekadë si shef i policisë në kantonin Vaud të Zvicrës — e njëjta zonë ku ndodhen zyrat qendrore të UEFA-s. Për më tepër, ai ka qenë gjithashtu këshilltar për sigurinë në evente të mëdha sportive dhe delegat për ndeshje të rëndësishme.
Në vitin 2023, Antenen u zgjodh delegat i finales së Ligës së Kampioneve në Stamboll mes Mançester Sitit dhe Interit, një ndeshje që konsiderohej e rrezikshme për shkak të numrit të madh të tifozëve anglezë në Turqi.
Prania e tij në Tiranë është sinjal i qartë se UEFA e trajton me seriozitet maksimal këtë përballje, duke e cilësuar një nga sfidat më të ndjeshme dhe të rrezikshme të kualifikueseve për Botërorin. Versus.al







