
Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, ka reaguar në rrjetet sociale pas shpërndarjes së disa mesazheve të pavërteta dhe kompromentuese, që sipas saj janë krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Këngëtarja shprehet se ka marrë mijëra mesazhe të fabrikuara që cenojnë imazhin e saj personal, duke u përpjekur të përhapin lajme të rreme mbi jetën e saj private. Në një deklaratë ajo sqaron se, edhe pse jeta e saj publike është shpesh në vëmendjen e opinionit, detajet personale mbeten kufi që nuk do t’i tejkalojë kurrë.
Simaku i bën thirrje ndjekësve të saj të mos bien pre e manipulimeve që qarkullojnë në rrjet dhe nënvizon se do të vijojë të qëndrojë e pathyeshme përballë kësaj vale shpifjesh.
Reagimi i Parashqevi Simaku:
Të dashur miq,
Nuk kam dashur kurrë të reagoj ndaj gënjeshtrave dhe sulmeve të padrejta që disa persona përpiqen t’i hedhin mbi imazhin tim. Por tashmë situata ka kaluar çdo kufi dhe nuk mund të hesht më. Është e rëndësishme që ju, ndjekësit e mi të dashur, të dini të vërtetën dhe të mos ndikoheni nga fjalët e rreme që po qarkullojnë.
Kam marrë mijëra mesazhe ku më dërgohen disa mesazhe të krijuara me programe, që janë plotësisht gënjeshtra dhe nuk kanë asnjë lidhje me mua. Dua t’ju siguroj se asgjë prej tyre nuk është e vërtetë.
Historia ime është bërë publike, por ka gjëra personale që nuk do t’i zbuloj kurrë. Jam besimtare dhe besoj me gjithë zemër se Zoti do të bëjë drejtësinë e tij në kohën e duhur.
Ky është reagimi im i parë dhe i fundit për këtë çështje. Dua vetëm që të dini se unë nuk jam ajo që këta njerëz përpiqen të paraqesin dhe do të vazhdoj të qëndroj krenare dhe e fortë pavarësisht sfidave.
Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin tuaj./Versus.al







