Kapiteni i skuadrës së Serbisë, Aleksandër Mitroviç beson ende se mund të arrijnë një vend në Botërorin 2026 pavarësisht humbjes në shtëpi përballë Shqipërisë.
Në konferencën para ndeshjes kundër Andorrës që do të luhet nesër në orën 20:45, Mitroviç tha se shokët e tij te Kombëtarja duhet të marrin mësime nga humbja kundër kuqezinjve.
“Është një rezultat i vështirë dhe i dhimbshëm, një periudhë e vështirë për të gjithë ekipin kombëtar. Pas një humbjeje të tillë gjithmonë dëshiron që ndeshja tjetër të vijë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është një ndeshje e rëndësishme për ne, duhet të marrim tre fitore për të ruajtur shanset tona teorike dhe presim rezultate të tjera që të na përshtaten”, tha kapiteni i Serbisë.
Ai u shpreh optimist se Shqipëria do të humbasë në ndeshjet e mbetura përballë Andorrës dhe Anglisë që luhet më 16 nëntor në ‘Air Albania’.
“Fokusi është të qëndrojmë në lojë deri në ndeshjen e fundit dhe të shpresojmë që Shqipëria do të bëjë një humbje”, nënvizoi ai.
Duke e quajtur një dhimbje të madhe humbjen ndaj Shqipërisë, Mitroviç tha se duhet që skuadra të nxjerrë mësimet e domosdoshme.
“Në futboll, nuk ka shumë kohë për të festuar pas fitoreve të mëdha, as për trishtim pas humbjes. Kjo do të na dhembë për një kohë të gjatë, por nuk kemi zgjidhje tjetër. Ka shumë lojtarë të rinj në ekip dhe ky është një test i madh për të gjithë ata djem. Duhet të nxjerrim mësimet tona dhe të ecim përpara. Fokusi është tërësisht te ndeshja me Andorrën, dhe pastaj do të mendojmë më thellë për atë që ndodhi në duelin me Shqipërinë.”
Në ndeshjen e së martës, futbollistët serbë do të drejtohen nga Zoran Mirković, i cili u emërua trajner i përkohshëm pas dorëheqjes së Dragan Stojković. Versus.al







