
Vanessa Zeneli, 25-vjeçarja me origjinë shqiptare nga Udine, është detyruar të heqë dorë nga titulli dhe fasha si finaliste e konkursit të bukurisë Miss Friuli-Venezia Giulia 2025, pjesë e Miss Italia.
Shkak u bë fakti që kishte pozuar nudo, duke shkelur nenin 8 të rregullores, i cili ndalon pjesëmarrjen e çdo konkurrenteje që ka profile në platforma ose faqe ku shpërndahet përmbajtje për të rritur apo me karakter pornografik.
Zeneli ka pranuar se ka realizuar set fotografik nudo, por sipas saj organizatorja rajonale Paola Rizzotti ishte në dijeni të kësaj gjëje dhe gjithsesi e kishte lejuar pjesëmarrjen e saj në konkurs.
Më 5 gusht, bukuroshja mori një email ku i kërkohej të kthente titullin, duke parë kështu të shkatërrohej një ëndërr e gjatë.
Në vijim, ajo ka zbuluar se pas gjithë situatës qëndron një person i panjohur, të cilin e përshkruan si “stalker” (person që ushtron përndjekje fizike ose virtuale).
Sipas saj, ky person i ka marrë fotot nudo dhe i ka publikuar në faqe pornografike, përpara se të njoftonte organizatorët e Miss Italia dhe Miss Friuli.
“Nuk e di si ka arritur ta bëjë, por mendoj se i ka marrë fotot e mia dhe i ka shpërndarë në ato faqe për të rritur,” – ka treguar Zeneli, duke shtuar se ky person e ka ndjekur prej vitesh në rrjete sociale, duke monitoruar jetën e saj private.
Ndërkohë, Patrizia Mirigliani, vajza e themeluesit të Miss Italia, ka mohuar çdo ndërhyrje personale në këtë çështje.
Ajo tha se nuk ka dërguar asnjë email për përjashtimin e Zenelit dhe se sinjalizimet për fotot e saj erdhën nga bashkëpunëtorët.
“Ky është një konkurs serioz dhe me rregulla të qarta. Vajzat duhet ta kuptojnë se për të ndërtuar një të ardhme duhet të kenë një profil serioz profesional,” – theksoi Mirigliani.
Organizatorja rajonale Paola Rizzotti nuk ka komentuar ngjarjen ndërsa Armando Casalino, përgjegjës i Miss Trieste, ka konfirmuar se ka marrë një email me foto të manipuluara dhe linke që ekspozonin Zenelin.
Për këtë rast, 25-vjeçarja ka vendosur të bëjë denoncim në polici, duke akuzuar “stalkerin” si përgjegjës për përjashtimin e saj nga gara./Versus.al







