Nga Eriselda Mikeli
Një ftesë e marrë nga kushëriri i tij për të vizituar Shqipërinë 11 vite më parë, bëri që 37-vjeçari Michele Barbaro të mos kthehej më në vendin ku u lind e u rrit, në Barletta.
Si një specialist në prodhimin e produkteve me djath dhe qumësht, pasi për disa muaj punoi për disa baxho në Durrës, Barbaro mori guximin për të themeluar biznesin e tij të parë. Ndaj, prej 11 vitesh e sot, një baxho me produkte pulieze jeton në periferi të qytetit bregdetar të Durrësit, në një nga rrugicat e rrugës “Vëllazërimi”.
“Fillimi për mua ka qenë shumë i vështirë. Isha vetëm 26 vjeç dhe mora vendimin për të nisur një jetë të re në një vend të huaj për mua. Nuk kisha as miq as të afërm e nuk dija as gjuhën” tregon Michele për fillimet e jetesës në Shqipëri teksa sytë i drejtohen te partnerja shqiptare, mamaja e dy vogëlushëve të tij, Anxhela.
Siç e thotë dhe një shprehje “çdo e keqe e ka një të mirë”. E mira e Micheles ishte krahu i tij i djathtë, bjondina Anxhela. Jo vetëm në jetën personale por dhe atë profesionale, Anxhela ka qenë një shpëtim për të.
“Të krijosh produkte italiane në një vend tradicional siç ka qenë Shqipëria asokohe, ishte tepër e vështirë. Njerëzit as nuk e dinin se çfarë është mozzarella e jo të blinin diçka të tillë. Në fillim ka qenë më shumë një prezantim i produktit sesa një mënyrë për të fituar të ardhura” shton më tej Michele.
Ashtu siç çdo biznes ka rënien dhe shkëlqimin e tij, si momentin më të suksesshëm Michele do të cilësonte periudhën që mori në dorë frenat për rihapjen e dyqanit pas dy ortakërive të dështuara. Por pa lënë në hije ditën më të veçantë të jetës së tij, që e bëri të ndihej tashmë një specialist të prodhimit të mozzarellave. Pasi mori një ftesë që të përgatiste live produktet e tij për një nga restorantet më të frekuentuara të Tiranës që ndodhet te stadiumi “Arena”, Micheles ju shtua më shumë dëshira që kurrë mos të ndalej.
Produkte të prodhuara me 100% qumësht pa konservant e pa asgjë tjetër shtesë përveçse farës së djathit e të qumshtit përmirësuan imazhin e dyqanit të tij. Kështu biznesi i tij u bë një ndër baxhot më të përzgjedhurat në Shqipëri nga restorante të shumëllojshme.
“Caseificio sapori di Puglia” është baxhoja e Micheles që qëndron në këmbë nga puna e palodhshme e 5 personave.
I pyetur se cili është motivi i tij që t’ia dalë mbanë në një treg të huaj për të, plot vendosmëri Michele shprehet: 2 familjet. Familja e parë; nëna dhe babai im së bashku me nusen dhe djemtë dhe familja e dytë, ata që punojnë me mua.
Një jetë e kaluar në baxhot e të tjerëve por që me përkushtim të plotë dhe kurajo do të mbyllet në baxhot e tij.
“Shpresoj shumë që në një të ardhme të mundem ta zgjeroj më tej biznesin. Pse jo të kem dhe dy pika të tjera të mëdha. Njërën në Durrës, sepse ky është tashmë qyteti im, ndërsa një tjetër në Tiranë duke qenë se është zemra e Shqipërisë” thotë më tej italjani me një buzëqeshje që i mbulon fytyrën.
Një pronar modest i cili vlerëson dhe respekton pozicionin e secilit prej 5 punëtorëve të tij, shprehet mirënjohës për punën që ata bëjnë pasi bashkëpunimi mes tyre e mban gjallë baxhon. Sipas tij, më minimalja që mund të bëjë secili prej pronarëve është krijmi i një ambienti të ngrohtë për stafin e tij, e jo vetëm.
I përkushtuar maksimalisht në punën e tij, saqë dhe mbi jetën e tij flet lirshëm duke përgatitur mozzarellën, Michele të krijon përshtypjen e një pronari që jo vetëm pret që puna të bëhet nga punonjësit por dhe i ndihmon ata. I veshur me përparësen e bardhë që mozzarella mos të spërkasë mbi rrobat e tij, Michele vijon punën në kuzhinën e dyqanit, ku e bardha dhe e grihta mbërthejnë ambientin.
Një dyqan, dera e të cilit në shumicën e ditëve hapet nga vetë Michele që në 3 të mëngjesit dhe mbyllet nga punëtorët e tij pasdite, sundohet nga aroma e djathit dhe pika uji, jo vetëm në lavamane por dhe mbi dysheme.
“Pastërtia është parësore për ne. Kemi patur shumë raste që klientët tanë vijnë në dyqan e na kanë gjetur me mjete pastrimi nëpër këmbë teksa vijojmë përgatitjen e produkteve” shprehet Michele teksa sytë i hedh mby dyshemenë “e zhytur në ujë”.
Ashtu si bizneset e bashkëkombësve të tij që prej vitesh jetojnë në Shqipëri, dhe baxhoja e Micheles është përzgjedhur nga klientët vendas por dhe të huaj. Shoqëria ka shfaqur një përkrahje të madhe në këtë rrugëtim, duke i mundësuar atij kontrata pune me restorante të ndryshme italiane, por dhe shqiptare.
I zoti jo vetëm në prodhimin e produkteve të tilla italiane, por Michele merr vëmendje dhe me pasionin e tij ndaj peshkimit. Që nga vrojtimi i rrjeteve të tij sociale është shumë lehtë e kuptueshme që Barbaro e adhuron këtë lloj veprimtarie. Madje të dielave shpesh ndodh që një orë në dit t’ia kushtojë hobit të tij. Ndërsa pjesa tjetër e pushimit i përkushtohet tërësisht familjes së tij.
Tashmë babai i dy djemve të vegjël dhe bashkëshorti i një shqiptareje, pavarësisht furtunave që kaloi në jetë, Michele shfaqet i lumtur me këto copëza jete të jetuara deri më tani.
Jeta e tij është mbushur me ngjyra që nga dita që njohu Anxhelën e deri më tani. Një biznesmen i suksesshëm në fushën që ai njeh më së miri, dhe ai vetë e pranon se pa ndihmën e bashkëshortes së tij nuk do ia dilte dot. E gjitha pasi kjo e fundit i ka hequr barrën e kontrolleve për dokumentacionet e biznesit, për shkak të vështirësisë së tij për të komunikuar rrjedhshëm në gjuhën shqipe.
Në fillim, para 10 vitesh, dy shtetasit e ndryshëm i bashkoi dashuria, ndjenja dhe respekti ndaj njëri-tjetrit. Ndërsa sot rrugët e Micheles dhe Anxhelës, shkurtohen dhe bashkohen akoma më shumë nga dëshira e pashtershme për të arritur suksese të mëtejshme e për t’ia dalë mbanë si prindër të përkushtuar por dhe ortakë.







