Nga Ola Xama
Po shoh që Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur së fundi se nuk duhet cënuar pavarësia e Bankës së Shqipërisë. Kjo deklaratë do të dukej rutinë dhe e mirëpritur, po të mos vihej në kontekstin e pyetjes që i është drejtuar lidhur me hetimet për skemën e abuzimit me mikrokreditë. Për këtë FMN ka thënë se nuk komenton, por ka dashur të sqarojë rëndësinë e stabilitetit financiar të vendit. Në dhënien e komenteve nuk ka ‘por’, ose komenton ose jo, dhe Fondi ka komentuar!
Çdokush që do të ishte i paanshëm, minimalisht nuk do të përpiqej t’i jepte mbrojtje masakrës që ka ndodhur me jetën e mijëra qytetarëve. E për të bërë këtë analizë nuk ka nevojë fare të kujtohet sa ishte niveli i kredive me probleme në vitin 2015 dhe si është mbështetur ky plan nga FMN. FMN mjafton të lexojë raportet e ekzaminimit që ka bërë Departamenti i Mbikëqyrjes në BSH (departament për të cilin kam respekt dhe vlerësim), për të kuptuar se çfarë ka ndodhur! Këto raporte kanë nxjerrë në pah 4 vjet më parë se çfarë ka ndodhur dhe se askush nuk ka vepruar. Nëse duhej të vepronte Prokuroria apo Guvernatori i Bankës Qëndrore, këtë le ta zgjidhin hetimet.
Sa për ruajtjen e pavarësisë, FMN e di më mirë se të gjithë ne, që Banka e Shqipërisë drejtohet nga Këshilli Mbikëqyrës dhe jo nga guvernatori. Ndaj që institucioni të funksionojë në mënyrë të pavarur vendimet duhet të merren nga organi më i lartë! Por çfarë ka ndodhur me Këshillin Mbikëqyrës? Informacioni që marrin anëtarët nuk është i plotë, madje kemi raste të largimit të tyre kur kanë kërkuar të dhëna për zhvillimin e procedurave tenderuese dhe operacionale. Disa anëtarë janë në konflikt të hapur interesi, pasi familjarë të tyre janë të punësuar në Bankën e Shqipërisë, ndërsa disa të tjerë janë antarë bordi në institucione të tjera në konflikt interesi. (Siç është rasti i një anëtareje që është emëruar së fundi në Këshillin Drejtues të Korporatës së Investimeve).
Stabiliteti financiar i Bankës Qendrore është i rëndësishëm dhe bazohet te një element kryesor: besimin! E që një institucion të jetë i besueshëm, ai duhet të jetë transparent. Personalisht mendoj se një nga institucionet me nivelin më të ulët të transparencës është Banka e Shqipërisë. Asnjë fjalë nuk u tha se çfarë po ndodhte me institucionet e mikrokreditit, asnjë raport publik, asnjë këshillë për qytetarët, asnjë guidë për kujdes. Të gjitha procedurat e prokurimit janë sekrete, nuk dihet kush i fiton, nëse ka shkelje apo konflikt interesi. Thonë që kontrollohemi vetë, nga auditues të jashtëm dhe KLSH, por dhe raportet e auditimit të KLSH nuk publikohen!
Njëkohësisht jam dhe palë e tretë në një proces gjyqësor me Bankën e Shqipërisë për refuzimin e dhënies së kontratës së punimeve për ish-Hotel Dajtin. Gjykata e Shkallës së Parë është shprehur në favorin e kërkesës sime dhe çështja po shqyrtohet në Gjykatën e Apelit. Emri i kompanisë që ka kryer punimet dhe falsifikimi i saj nga disa pronarë shqiptarë u publikua në një artikull të rrjetit Birn. Që nga ajo ditë, Banka e Shqipërisë më ka shpallur ‘non grata’ dhe nuk ftohem për të ndjekur aktivitetet e saj. Të njëjtën linjë ka diktuar dhe te Shoqata e Bankave, ndërsa telefonatat në redaksitë ku kam punuar nga kabineti i Guvernatorit për të censuruar publikimet kritike dhe për të diktuar linjën e lajmeve kanë qënë të vazhdueshme. Për çfarë pavarësie flet FMN? (marrë nga Facebook i autores)
*Titulli redaksional