Nga "Rrjeti i Fuqzimit te Gruas në Shqipëri" në Rrjeti "Barazi në Vendimmarrje"
Financimi i partive politike është një nga elementët më të rëndësishëm të funksionimit demokratik . Ai përcakton aftësinë e partive për të organizuar fushata, për të komunikuar me qytetarët dhe për të ndërtuar struktura që përfaqësojnë interesat e publikut.
Në teori, financimi shtetëror synon të barazojë mundësitë mes partive, por në praktikë, sistemet aktuale favorizojnë fort partitë e mëdha. Në Shqipëri, fondet publike ndahen kryesisht në bazë të rezultatit zgjedhor dhe mandateve të fituara. Kjo do të thotë se partitë e vogla, që nuk arrijnë një përfaqësim të gjerë në parlament, përfitojnë shumë pak , ose aspak.
Kjo situatë ndikon veçanërisht negativisht te gratë kandidate, të cilat shpesh përballen me më pak mbështetje financiare brenda vetë partive që i propozojnë. Në shumë raste, gratë nuk kanë akses në rrjete financimi apo donatorë, dhe mbështetja për fushatën e tyre është më e kufizuar sesa ajo për kandidatët burra.
“Është shumë e vështirë për ne si kandidatë, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore,” thotë Klementina Meci, anëtare e Këshillit Bashkiak në Durrës.
“Financimi është i kufizuar, sidomos për kandidatet për këshilla bashkiakë. Mbështetja që vjen nga partitë është minimale, dhe pjesa më e madhe e shpenzimeve është mbuluar nga xhepi ynë.”
Sipas saj, kjo situatë krijon një pabarazi të dukshme mes kandidatëve dhe e vështirëson angazhimin e njerëzve të rinj, veçanërisht grave, në politikë.
Por cfarë ndodh me partitë e vogla, që për shkak të numrit të mandateve kanë edhe më pak fonde, rrjedhimisht një fushatë më pak konkurruese qoftë në terren apo në media?
Disa prej kandidatëve të partive të vogla, rrëfejnë eksperiencën e tyre.
“Televizionet shpesh shërbejnë si burimi kryesor i informacionit për një pjesë të mirë të popullsisë dhe, kur hapësira shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, krijohet një perceptim sikur vetëm partitë e mëdha kanë zgjidhje për vendin. Dominimi i të njëjtave fytyra dhe mesazheve në media krijon një realitet të shtrembëruar, ku qytetarëve u mohohet e drejta për të njohur alternativat reale. Kjo e bën më të vështirë për ne të prezantojmë alternativën tonë, programin apo mentalitetin e ri që përfaqësojmë,” thotë Edona Haklaj, kandidate për deputete e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Por fushata “me lek xhepi” mund të sjellë pasoja ligjore për kandidatët, në rast se nuk i deklarojnë. Precedentë të mëparshëm, kanë treguar se ka një mungesë të theksuar informacioni në radhët e kandidatëve, lidhur me detyrimet ligjore për të deklaruar cdo shpenzim që bëhet në funksion të fushatës zgjedhore, dhe kur e bën me të ardhura personale.
Në garën elektorale të zgjedhjeve vendore në vitin 2023, të paktën 41 kandidatë për kryetarë bashkie rrezikuan gjoba të konsiderueshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për shkak të mënyrës së financimit të fushatave të tyre elektorale.
Ata kishin mbuluar shpenzimet nga fondet personale, pa përmbushur detyrimin ligjor, për ti deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në shumicën e rasteve, kandidatët kanë vepruar në mirëbesim, duke përdorur kursimet e tyre për materiale propagandistike apo takime me qytetarët.
Anëtarët e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) kanë kritikuar administratën zgjedhore për mungesë informimi dhe transparence.
“Shpjegojuani njerëzve që s’mund të fusin dot dorën në xhepin tuaj për fushatë,” deklaroi Ilir Rusmajli, anëtar i KAS, duke nënvizuar mungesën e udhëzimeve të qarta për kandidatët.
Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, KQZ ka vendosur gjoba ndaj 41 kandidatëve, përfshirë 32 nga opozita dhe 9 nga Partia Socialiste. Rasti ka ngritur shqetësime mbi nevojën për informim më të mirë dhe mbështetje teknike për kandidatët, veçanërisht ata të pavarur apo nga parti të vogla, të cilët shpesh operojnë jashtë strukturave të mëdha dhe nuk kanë akses në këshillim ligjor apo financiar.