OPINION /

Zgjedhjet në Himarë, kush janë katër tradhtarët e Tërbaçit?!

Shkruar nga Versus
Zgjedhjet në Himarë, kush janë katër tradhtarët e
Momenti i numërimit të votave në Tërbaç

Nga Lutfi Dervishi

Zgjedhjet në Himarë provuan edhe njëherë tjetër se çdo votë është e sh(tr)enjtë, por edhe këto zgjedhje nuk kaluan pa probleme. Dhe problemi  më i madh u shfaq në Tërbaç.

Kandidati i qeverisë fitoi me mbi 98% të votave, duke dëshmuar qartë se besimi në unitetin e popullit rreth partisë është i patundur. Megjithatë fakti se në kuti përveç 330 votave të qeverisë dolën edhe 7 vota për kandidatin e opozitës të lë një shije të hidhur.

7 votat për opozitën nuk janë një fake news, por një fakt i konfirmuar edhe nga vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve të së dielës.

Nga shtatë votat tradhtare kundër progresit dhe prosperitetit, kundër Shqipërisë turistike dhe vizionit 2030,  tre tashmë janë identifikuar. Janë tri votat e anëtarëve të komisionit të votimit dhe ata dihen dhe njihen me emër dhe mbiemër.

Ata mund të justifikohen dhe mund të thonë se kanë votuar kundër kandidatit të qeverisë për të testuar integritetin e procesit dhe për të dëshmuar se pluralizimi është gjallë, por ky shpjegim sërish e lë misterin e pazgjidhur plotësisht: kush janë katër votuesit rebelë që guxuan të prishin objektivin për  100% të votave për qeverinë?! Kush janë ata që kërkojnë të njollosin emrin e mirë të fshatit dhe traditës së tij historike? Si mund të votohet kundër qeverisë më 2024? Ky nuk është skandal se po të ishte i tillë, do të vihej në lëvizje SPAK. Ky është rebelim dhe si i tillë duhet trajtuar.

Ka vetëm një rrugëdalje nga masat ekstreme.

Në frymën e transparencës dhe llogaridhënies, që karakterizon këtë qeveri, populli trim, liridashës, paqëdashës dhe demokracidashës i Tërbaçit tani pret me padurim autokritikën nga këta katër individë që me votën e tyre duan të mbjellin frymën e përçarjes në fshat. Nuk përjashtohet mundësia që të kenë hedhur votën gabim. Mund të jenë të rinj të gënjyer, mund të kenë qenë votues që nga vapa apo emocioni kanë gabuar, këtë gjë mund ta sqarojë vetëm një autokritikë e thellë e pastër dhe e sinqertë.  Cilado qofshin arsyet e tyre, ata i detyrohen bashkfshatërve jo vetëm një rrëfim por edhe një kërkim falje, në të kundërt drejtësia dhe qeveria do të thonë fjalën e tyre.

Ne, sigurisht që jemi një vend demokratik, dhe opozita e ka vendin e vet në opozitë, por nuk mund të luhet me të sotmen dhe të ardhmen e qeverisë. Si mund të votojë dikush kundër një qeverie që qartësisht di çfarë është më e mira  për veten dhe popullin e saj? Votat për opozitën, qofshin ato edhe më pak se gishtat e njërës dorë kërcënojnë harmoninë dhe unitetin për të cilin është investuar jo pak.

Katër disidentët ta kenë të qartë se nuk mund të fshihen si struci duke fshehur kokën në rërën e plazhit të Himarës, qeveria nuk do të lërë gur pa lëvizur për t’i çuar, aty ku e kanë vendin para drejtësisë.

4 votat kundër nuk mund të prishin festën në Tërbaç.   Në një botë të mbushur me ndarje, konflikte dhe përplasje vota në Tërbaç tregon se ne qëndrojmë së bashku, krah për krah, nën udhëheqjen e lavdishme të një qeverie që çfarë nuk ka bërë që votuesit të kuptojnë se janë të lirë për të votuar 100% për kandidatët e saj.

P.S. Pas autokritikes ose hetimit, grupi i fshatit ka përgatitur edhe këngë e re: Votat tona qeveris/uniteti nuk lëviz

Poll